Shoqëria civile e Kosovës dhe e Serbisë kërkon nga Mogherini të deklarohet publikisht kundër ndarjes

Shoqëria civile e Kosovës dhe e Serbisë kërkon nga Mogherini të deklarohet publikisht kundër ndarjes

10 gusht 2018 23:31

Organizatat e shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia i kanë dërguar një letër të hapur përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherinit, me të cilën kërkojnë që ajo të dalë publikisht me një deklaratë të qartë kundër ndarjes së Kosovës apo shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë në parimin etnik.

Sipas nënshkruesve të letrës, “përmendja më e shpeshtuar e mundësisë së rivizatimit të kufijve dërgon një mesazh shumë të rrezikshëm për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, sikur edhe për gjithë rajonin, se ka një mundësi reale për legjitimimin e një propagande të rrezikshme të pronësisë etnike ndaj territorit – një parim ky që në disa raste e ka shtyrë rajonin në konflikte të përgjakshme”.

“Vendet etnikisht të pastra, një model i tejkaluar nga shekulli 19-të, nuk duhet të jenë synim i cilësdo politikë, e as që duhet të tolerohen dhe përkrahen nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”, thuhet në letër, e cila u bën thirrje Mogherinit dhe bashkësisë ndërkombëtare të parandalojnë legjitimimin e diskutimeve për ndarje të Kosovës.

“Ju, sikur edhe përfaqësuesit e tjerë të bashkësisë ndërkombëtare, keni një përgjegjësi të veçantë për të parandaluar këtë çështje nga arritja në agjendën e negociatave. Të gjithë ndërmjetësit, posaçërisht Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, janë të obliguara që t’u nënshtrohen rregullave të vendosura nga Komisioni i Badinterit më 1991. Këto rregulla, që i njohin kufijtë e elementeve konstituive të ish-Federatës dhe e mohojnë parimin etnik të ndarjes, duhet të vlejnë edhe për Kosovën, si një rast i posaçëm në procesin e shpërbërjes së RSFJ-së”, thuhet në letër.

Letrën e plotë mund ta lexoni në numrin e nesërm të Kohës Ditore.

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Gjakova13/08/2018 16:36

Per shkarkimin e Thaqit duhet protestuar.Dhe ate dit e nat. Se ai eshte fatkeqesia e Kombit tone.

Shto koment

Të ngjashme