Delawie shfrytëzon një ceremoni me vullnetarë amerikan për të konfirmuar mbështetjen për Kosovën

Delawie shfrytëzon një ceremoni me vullnetarë amerikan për të konfirmuar mbështetjen për Kosovën

10 gusht 2018 20:44

36 vullnetarë të rinj amerikanë kanë kaluar 10 javët e fundit në Kosovë, si pjesë e programit të trajnimit të vullnetarëve të Korpusit të Paqes.

Ata sot janë shpërblyer me mirënjohje nga ambasadori amerikan në Kosovë, dhe zyrtarisht do të fillojnë shërbimin e tyre si mësimdhënës të gjuhës angleze anë e mbanë Kosovës.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie theksoi se puna dhe përkushtimi i këtyre të rinjve është simbol i lidhjeve të forta diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës.

Sipas tij, Korpusi i Paqes paraqet kontributin amerikan në botë e në Kosovë.

Kurse, Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi , u shprehi mirënjohje vullnetarëve amerikan sepse arsimi në Kosovë ka nevojë për depolitizim dhe përzierje kulturore.

Ndërkaq, Drejtoresha e Programit të trajnimeve në Korpusin e Paqes, Karen Scheuerer falënderoi të gjitha ato familje që hapën dyert e shtëpive të tyre dhe me mikpritje kosovare i pranuan vullnetarët si anëtarë të familjes së tyre.

Vullnetarët janë shprehur shumë të kënaqur me pritjen në Kosovë, e disa nga ta, e kanë bërë këtë në gjuhën shqipe.

Që nga viti 1961, mbi 200.000 amerikanë kanë shërbyer në Korpusin e Paqes në 140 vende të ndryshme. Kosova u bë vendi i 140-të në qershor të vitit 2014.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme