Faji për refuzimin e Austrisë për Karton të Gjelbër i mbetet MPB-së, sherri i 60 mijë veturave

10 gusht 2018 19:22

Kah Ministria e Punëve të Brendshme është drejtuar faji për humbjen e mundësisë që Kosova të mbulohet me Kartonin e Gjelbër nga shteti austriak.

Kjo ministri nuk kishte marrë masa për parandalimin e veturave të paregjistruara në trafik, raporton KTV.

E që dolën të jenë hiq më pak se 65 mijë apo 20 përqind e tërë veturave që qarkullojnë në vend.

Për këtë, kryetari i Komisionit për Financa, Lumir Abdixhiku, tregon se kishin kërkuar zbritjen e tyre në 5 përqind.

“Jemi të pakënaqur me mosnisjen e aktiviteteve nga Ministria e Punëve të Brendshme, siç është kërkuar me rezolutë. Ne i kemi kërkuar MPB-së të dalë me plan veprimi që të reduktohet për një kohë të ngushtë numri i veturave të paregjistruara, nga 20 përqind në 5 përqind”, ka thënë Abdixhiku.

Tash që Austria nuk po pranon ta ndihmojë Kosovën në këtë drejtim, Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, Blerim Pushkolli, tregon se nuk kanë plan B të veprimit.

Për këtë nuk është deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme, Bejtush Gashi.

Në kabinetin e tij kanë thënë se ministri gjendet në pushim mjekësor.

“Por për katër zëvendësministrat, Milan Radojeviç, Abdulselami Shkodra, Izmi Zeka dhe Isa Xhamajlaj është thënë se nuk janë kompetentë për t’u deklaruar për këtë temë, pavarësisht se janë personat e parë në krye të ministrisë pas ministrit.”

Për ta mbuluar vendin me Kartonin e Gjelbër, Kosova arriti t’i sigurojë 4 milionë euro fond rezervë.

Por arsyetimi i Shoqatës së Anëtarëve në Austri ishte se përfshirja e Kosovës rrezikon vendet e tjera anëtare.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme