Arbëri

Me 300 euro dënohet burri që pasi s’iu ofrua ndihma theu xhamat e Emergjencës në Ferizaj

Gjykata Themelore në Ferizaj, në seancën e së premtes, e ka dënuar me 300 euro gjobë, të akuzuarin për veprën penale “asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”, Enver Jashari.

Lidhur me këtë ai akuzohej se në gusht të vitit 2015, pasi që askush nuk i kishte dhënë ndihmën mjekësore në ndërrimin e natës, nga revoltimi i shkaktuar kishte thyer xhamin e hyrjes dhe një xham tek sporteli i Qendrës Emergjente në Ferizaj.

Aktgjykimi ndaj tij, është shpallur, pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë për akuzën që i vihej në barrë. I akuzuari Jashari, ka deklaruar se e ndien veten fajtor, duke shtuar se veprimet e tij kanë ardhur si pasojë e revoltës ndaj mostrajtimit nga ana e mjekëve për problemet shëndetësore që thotë se i kishte në ditën kur kishte ndodhur rasti.

“E pranoj fajësinë për veprën penale dhe për veprimet i mia ndihem thellë i penduar. Por, njoftoj gjykatën se unë isha në gjendje të rëndë shëndetësore dhe në katër dhoma kam hyrë dhe kam kërkuar ndihmë mjekësore, por asnjë mjek nuk ishte për të më ofruar ndihmë. Kjo tregon se unë aty nuk kam shkuar për të bërë ndonjë sherr, mirëpo u revoltova në atë se nuk më ofruan fillimisht ndihmën që kërkoja. Pastaj vetëm pasi e kam thyer xhamin më kanë marrë dhe kontrolluar”, ka deklaruar i akuzuari Jashari.

Gjykatësi i rastit, Ilir Bytyqi, pasi ka shpallur aktgjykimin, palën e dëmtuar, Qendrën Emergjente në Ferizaj, e ka udhëzuar në kontest civil.

Në këtë seancë, ka munguar përfaqësuesi i kësaj qendre, ku sipas gjykatësit Bytyqi, ftesën e kishte pranuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mos ardhjen e tij nuk e kishte arsyetuar.

Sipas aktakuzës, Enver Jashari, më 10 gusht 2015, rreth orës 06:45, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, më saktësisht në Qendrën Emergjente, ka dëmtuar dhe bërë të papërdorshme pasurinë e të dëmtuarës, me ç’rast i pandehuri e kishte thyer një xham tek dera e hyrjes dhe një tjetër tek sporteli, duke shkaktuar kështu dëm material në vlerë të papërcaktuar.

Me çka, ai akuzohej se ka kryer veprën penale “asgjësim apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333 paragrafi 1 të KPRK-së.