Diskutimi për kufirin Kosovë-Shqipëri përplas eksponentë të PS-së e PD-së

Diskutimi për kufirin Kosovë-Shqipëri përplas eksponentë të PS-së e PD-së

10 gusht 2018 18:02

Ish-kryeministri i Shqipërisë, tani ministër për shqiptarët në Qeverinë Rama, Pandeli Majko ka thënë se të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri.

Këtë ai e ka thënë duke iu referuar një deklarate të Tritan Shehut, ish-ministrit të jashtëm. Shehu, që tash është deputet nga partia demokrate, ka kërkuar që Shqipëria të marrë një rol kyç në çështjen e kufijve dhe të qëndrojë kundër rishikimit të kufijve. Ai ka thënë se ideja e ndryshimit të kufijve në Kosovë është e lidhur me Beogradin. Sipas tij kjo ide nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi erdhi pas deklaratave të ministrit të Diasporës Pandeli Majko.

Por Majko, tash në një postim të tij ka thënë se ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit evropian. “Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar”, thotë ai.

Shkrimi i plotë i Pandeli Majkos:

Tritan Shehu ka deklaruar se ideja për ndryshimin e kufijve e hapur së fundmi…”E mori zanafillën në një deklaratë të ministrit Majko… në një ambient të papërshtatshëm duke hedhur një ide të tillë që nga janari kryeministri do rrëzojë kufirin Shqipëri-Kosovë.” (!?) (As serbi Gjuric nuk e rëndoi kaq shumë këtë deklaratë të pathënë).

Të lidhësh dëshirën për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave midis Shqipërisë dhe Kosovës, me temën ndryshimit të kufijve është papërgjegjshmëri. Kjo temë është dakordësuar midis Shqipërisë dhe Kosovës dhe u ripohua sërish nga Kryeministri Haradinaj gjatë vizitës së fundit në Vlorë.

“Rrëzimi i kufirit” si term, përdoret në rastet e embargove… Lëvizja e lirë nuk ndryshon kufijtë. Ndryshimi i kufirit nuk është funksional në kohët e reja të procesit të integrimit europian. Shqipëria dhe Kosova nuk mund të bëjnë dy gjëra të kundërta në të njëjtën kohë. Këto dy shtete nuk mund të “ndahen” për tu integruar. Integrimi europian është një proces ku shqiptarët kanë hyrë pasi aty përfaqësohen edhe interesat e tyre. Kjo i bën ata protagonistë dhe jo frikacakë. Sigurisht.

Ndërkaq, pas kësaj, Shehu ka shkruar se “deformimi i interesave tona nga goja e shqiptarëve, është shumë më e rrezikshme se sa deformimi i tyre prej gojës së të huajve”.

“Ne duhet të mbrojmë qartësisht interesat tona, përndryshe dhe pozitat e miqve dobësohen. Ka vetëm një rrugë për Ballkanin Perëndimor: ç’vlerësimi gradual i kufijve nëpërmjet procesit të integrimit e zërimi nesër i tyre si anëtarë të BE. Reagimi i Thaçit ndaj Berishës reagim marksist”, ka thënë Shehu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme