Arbëri

Thaçi nuk e konsideron tabu temën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë

Foto: Koha

Presidenti Hashim Thaçi është i vendosur të vazhdojë të kërkojë publikisht një marrëveshje paqësore me Serbinë, për të korrigjuar kufirin lindor të Kosovës me Luginën e Preshevës, dhe në shtator ka ndërmend ta shtrojë këtë si temë në tryezën e bisedimeve dypalëshe.

Ai në një intervistë për Tema thotë se SHBA dhe BE po inkurajojnë dialogun me mjete paqësore dhe se ai ka mandatin që i jep Kushtetuta, ta përfaqësojë Kosovën në këtë proces.

“Unë po kërkoj që të bëhet korrigjimi i kufijve në mënyrë paqësore për t’i mundësuar Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës të bashkohen me Kosovën. Askush nuk mund ta kundërshtoj një marrëveshje që arrihet në mënyrë paqësore. Rastet e tilla te korrigjimit të kufijve në mënyrë paqësore kemi anekënd botes. Vetëm dy vite më parë, Belgjika dhe Holanda pa shkrepur asnjë plumb, korrigjuan kufirin e tyre në mënyrë paqësore. Pra “Kutia e Pandorës” në asnjë rrethanë nuk mund të hapet në Ballkan, në rast se marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, arrihet në mënyrë paqësore”, tha ai.

Thaçi injoron kritikat në adresë të tij dhe thotë se nuk ka arsye që propozimi i tij të ketë efekt domino për vende të tjera, derisa procesi bazohet tek bisedimet paqësore.

“Në dialogun e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të dy shtetet negociojnë në mënyrë të pavarur, të barabartë dhe si shtete sovrane. Pra Serbia në negociatat në Bruksel, ulet përballë Kosovës dhe e konsideron atë si shtet të pavarur dhe sovran”, u shpreh ai.

Kreu i vendit thotë se është konsultuar për këtë gjë me liderët politikë të Luginës së Preshevës, dhe se ata e kanë shprehur vullnetin për bashkim me Kosovën në referendumin e vitit 1992.

“Qytetarët e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes e kanë shprehur vullnetin e tyre në mënyrë demokratike nëpërmjet referendumit te organizuar ne vitin 1992. Vullneti i tyre politik është i qarte: ata duan t’i bashkëngjiten Kosovës”, tha ai.

Presidenti Thaçi nuk e konsideron tabu, as hapjen e debatit për bashkim mes Kosovës dhe Shqipërisë, gjithnjë duke i qëndruar proceseve paqësore. Ai thotë se ka një Plan B për të dalë nga ky debat pa dëmtuar Kosovën në rast se bisedimet dështojnë.