Arbëri

Hoti sqaron zgjedhjen e drejtorit të Doganës së Kosovës

Descriptive Text

Ministri i Financave Avdullah Hoti, ka sqaruar procedurën e zgjedhjes së drejtorit të Doganave të Kosovës Bahri Berisha, transmeton Koha.net.

Lexoni edhe: Bahri Berisha emërohet drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës [dokument]

Në këtë sqarim Hoti ka thënë:

Përshkrimi i procesit të konkursit

Në përputhje me nenin 5, paragrafi 4, të Kodit Nr. 03/L-109 Doganor dhe Akcizave të Kosovës, Ministri i Financave më 15.11.2016 ka shpallur konkurs publik për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Kanë konkurruar 22 kandidatë, nga të cilët 12 janë ftuar në intervistë me gojë.

Më 06.12.2016, Ministri i Financave e ka emëruar “Komisionin për përzgjedhjen e kandidatit për pozitën Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Republikës së Kosovës”, i përbërë nga tre Sekretarë të Përgjithshëm të Qeverisë së Kosovës.

Në të gjitha fazat e konkursit, puna e Komisionit është monitoruar dhe asistuar nga partneri implementues i përcaktuar nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, siç parashihet në Memorandumin e Mirëkuptimit të nënshkruar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë, të datës 15.08.2016.

Komisioni më datë 18.01.2016 ka dhënë Rekomandimin për kandidatët më të suksesshëm që i plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur Drejtor i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës.

Në përputhje me nenin 5, paragrafin 1, të Kodit Doganor dhe të Akcizave të Republikës së Kosovës dhe mbi bazën e Rekomandimit të Komisionit, Ministri i Financave i ka propozuar Kryeministrit që z.Bahri Berisha të emërohet në pozitën e Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Republikës së Kosovës. Z.Berisha është ranguar kandidati me më së shumti pikë nga ana e Komisionit.

Vlerësime mbi ligjshmërinë e konkursit

Përpara se të hapet konkursi, Ministria e Financave ka analizuar me kujdes Memorandumin e Bashkëpunimit dhe ka konstatuar se zbatimi i tij në procesin e rekrutimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës së Kosovës parimisht nuk bie ndesh me legjislacionin në fuqi. Ministria e Financave dhe partneri implementues janë pajtuar se në të gjitha fazat e konkursit do të zbatohet vetëm legjislacioni në fuqi në Republikën e Kosovës.

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës nuk është shërbyes civil dhe procedura e rekrutimit nuk i nënshtrohet Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës dhe Rregullores QRK-Nr.06/2010 për procedurat e emërimit në pozita të larta në Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, në këtë proces të rekrutimit nuk mund të diskutohet për shkelje të legjislacionit për shërbimin civil.

Komisioni i caktuar nga Ministri i Financave, bazuar në nenin 5 të Kodit të Doganave dhe të Akcizës të Kosovës, ka udhëhequr të gjithë procesin e rekrutimit. Roli i partnerit implementues në këtë proces ka qenë vetëm monitorimi dhe asistimi në punën e Komisionit. Falë këtij monitorimi dhe asistimi, dhe bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare, për herë të parë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të Doganës i janë nënshtruar një interviste të strukturuar, përfshirë këtu edhe testin psikometrik.

Në fund të procesit, ashtu siç është paraparë në paragrafin 4, të nenin 5 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, Komisioni ka bërë rekomandimin e tij, përfshirë edhe sqarimet lidhur me bashkëpunimin që Komisioni ka pasur me partnerin implementues gjatë procesit të rekrutimit.

Prandaj, gjatë procesit të rekrutimit dhe emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganës nuk është shkelur asnjë dispozitë e Kodit Doganor dhe të Akcizave dhe zbatimi i Memorandumit të Bashkëpunimit është bërë pa interferuar në legjislacion në fuqi.

Bahri Berisha është emëruar drejtor i përgjithshëm i Doganës së Kosovës më 8 shkurt 2017.

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, në javën e shkuar në një letër dërguar kryetarit të Kuvendit të Kosovës kishte thënë se emërimi i drejtorit të ri të doganave të Kosovës është i jashtëligjshëm duke kërkuar sqarim rreth emërimit.