Arbëri

Scott thotë se Amerika nuk ka ndryshuar qëndrim politik ndaj Kosovës

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se nuk pret që administrata e presidentit Donald Trump të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Washingtonit ndaj statusit të Kosovës.

Scott, në një intervistë për “Radio Beogradin”, ka thënë SHBA-ja vlerëson se pa normalizim të marrëdhënieve dhe arritjes së një marrëveshjeje të përhershme mes Kosovës e Serbisë, nuk ka stabilitet dhe përparim të Ballkanit Perëndimor.

“Zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon liderë të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje të kreative”, ka thënë Ambasadori Scott, transmeton Koha.net.

Sipas fjalëve të tij, Washingtoni është i gatshëm t’u ndihmojë të dy palëve, por se për marrëveshjen eventuale mes dy vendeve do të deklarohet vetëm kur ta shohë atë.

Ai nuk pret se administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, do të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Washingtonit ndaj statusit të Kosovës.

“Sa i përket Amerikës, sikurse edhe shteteve të mëdha, ato interesa nuk ndryshojnë nga presidenti në president. Atë që ne dëshirojmë që nga administrata Bush, tek Obama dhe Trumpi, është paqja dhe stabiliteti në këtë rajon, transformimi drejt demokracisë, marrëdhënie më të mira ekonomike dhe integrim në BE”, shtoi Ambasadori amerikan në Beograd.

“Kështu që nuk besoj se politika jonë do të ndryshojë”, ka thënë Scott.

Ai ka theksuar po ashtu se lufta gjithmonë është gabim dhe shpesh është pasojë e gabimeve të ulëta që i kanë bërë njerëzit. “Vendimi për bombardim më 1999 është marrë pas një dekade gjakderdhjeje në këtë rajon dhe, në fund të fundit, i ka vënë pikën asaj gjakderdhjeje. Por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur gabime, ka pasur edhe viktima të pafajshme civile. Dhe për secilën viktimë civile na vjen keq”, theksoi ai.