Arbëri

Haradinaj, Vulinit: Shqiptarët s’janë ata që bëjnë spastrim etnik

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka reaguar ndaj deklaratave të Ministrit të Punës së Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj kërcënimeve të Daut Haradinajt, për “spastrim të Kosovës nga Serbët”.

Ndërkaq, Haradinaj, përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se shqiptarët e Kosovës i kanë ruajtur kishat me shekuj të tërë, ndërsa ka thënë se po të ishte në dorën e Vulinit dhe shefave të tij historikë “asnjë kishë serbe nuk kish me mbet në Kosovë”.

“Shqiptarët që t’i i quan ‘terroristë’ i kanë ruajtur e kultivuar që 500 vjet, dhe atë jo për hatrin tënd, por se kështu jemi ne shqiptarët. Ne jemi shqiptarë, edhe myslimanë edhe katolikë edhe ortodoksë, dhe e duam njëri-tjetrin. Ju e keni prishur veten tuaj duke e vendosur fenë para kombit. Kështu mendojnë shqiptarët”, ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

“Shqiptarët s’kanë bërë dhe s’bëjnë kurrë spastrim etnik, kemi dhënë prova se jemi njerëz të fjalës dhe këtu pajtohem me të gjithë, por ndjekja nga kriminelët në Beograd do ta marr përgjigjen e njëjtë çdo herë”, ka potencuar deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

Daut Haradinaj, mbrëmë, në një intervistë për RTV Dukagjinin, i pyetur se çfarë do të mund të ndodhte nëse i vëllai i tij Ramushi ekstradohet nga Franca për në Serbi, ka thënë: “Munden me na fut në luftë, asgjë tjetër. Unë nuk e di për të tjerët, por unë e di për vete se në rast se gabojnë dhe bëjnë kësi veprime, atëherë të bëhen gati për tema më serioze. Nëse e duan Kosovën etnikisht pa serbë, atëherë le të bëjnë hajgare”.