Arbëri

“Alternativa”, nga Prizreni kërkon bashkim në betejën për ndryshime

Themeluesit Mimoza Kusari - Lila dhe Ilir Deda kanë përuruar zyrat e subjektit më të ri politik “Alternativa”, dega në Prizren, ku u tha se komunikimi i hapur dhe transparenca i ka bashkuar rreth idesë së re politike, derisa me subjektet tjera politike nuk janë armiq.

Derisa “Alternativës” në Prizren i bashkohen edhe anëtarë të komuniteteve jo shqiptare, në këtë shënim “Alternativa” do të hapë degën qendrore në Prishtinë, ku më pas do të mbaj zgjedhjet për organet drejtuese të partisë.

Themeluesja e partisë Alternativa, Mimoza Kusari Lila tha se sot në Prizren po prezantohet shpresa, problemet, por edhe zgjidhjet për atë se çfarë po e ngarkon Kosovën dhe nuk po i largohet që prej periudhës së çlirimit, por gjithashtu edhe pas shpalljes së pavarësisë.

Ajo shtoi se vlera e alternativës është në barazi është në respekt të ndërsjellë si përbrenda Kosovës, ashtu edhe e Kosovës me shtetet tjera, raporton TV Opinion.

“Alternativa është për një barazi, është parti liberal demokrate e cila prezanton esencën e shtetësisë, ajo që Kosovës iu mohua, iu mohua edhe tash së fundi në një alologji interesante në atë se si komunikohet me qytetarin e Kosovës, komunikohet për ndërtimin e një strukture shtetndërtuese, për ushtrinë e Kosovës, por mbahen anash shumë pjesë që duhet të jenë pjesë e atij prezantimi, ne nuk mbajmë anash asgjë, nuk fshehim nga qytetarët asgjë, në fakt kjo dëshirë që të kemi një komunikim të hapur dhe transparent na ka sjellë që të mblidhemi rreth një ideje të re politike”, tha ajo.

Kurse, themeluesi tjetër i Alternativës, Ilir Deda u tha prizrenasve se kërkesa për jetë normale është betejë e vazhdueshme.

“Vendi i parë për shumë të mira, sot Prizreni nuk njihet për të mirë. Sot Prizreni udhëhiqet nga një njeri apo klasë politike e cila është duke u ndëshkuar me ligj dhe ne nuk mund të përparojmë dhe Prizreni nuk mund të përparon nëse në krye të Prizrenit janë njerëz ë e shkelin ligjin, janë njerëz që e shkelin traditën, janë njerëz të cilët e marrin rininë e rinisë....dua të iu lus diçka, 18 vjet nuk janë pak por këtë betejë duhet ta bëjmë së bashku, duhet të ketë një shtrirje dorë të gjithë atyre që janë për ndryshim të vërtet i cili e ka në funksion qytetarin, do të bëhemi bashkë dhe do ta bëjmë këtë ndryshim...ne nuk jemi armiq, ne nuk guxojmë të jemi armiq, jemi me disa shumë kundërshtar dhe ato kundërshtime do t’i mbajmë deri në fund, me disa do të ndërtojmë aleanca“, tha ai.

Ai tha se nuk ka nevojë të shpikim asgjë të re si ta zhvillojmë Kosovën, por vetëm atë forcë që e kemi duhet të investojmë në të.