Aventura e Presidentit Hashim Thaçi me iniciativën për formimin e ushtrisë nëpërmjet ligjit, pos raporteve me aleatët, ka rrezikuar edhe vetë formimin e saj. Kështu ka thënë deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
“Tani Kosova dhe FSK-ja janë në pozitë të pafavorshme si pasojë e aventurave të atij burri që mban të uzurpuar zyrën e Presidentit”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, pas këtyre aventurave të Thaçit “rrezikojmë që ushtria të bëhet pjesë e dialogut në Bruksel”.
I pyetur për Listën Serbe, ai ka thënë se kur Vetëvendosja të vijë në pushtet, nuk do të ketë “këso liste” që kontrollohet nga Beogradi, i cili përmes saj ka shtrirë ndikimin në Qeverinë e Kosovës.
Selimi ka përsëritur se me gjithë vërejtjet, ata e kanë mbështetur plotësim ndryshimin e Ligjit për FSK-në, por ka thënë se tash po del se iniciativa e Thaçit ka qenë pjesë e një skenari ku ushtria është bërë pjesë e fushatës në, siç ka thënë, atë që po duket të jetë vit zgjedhor.
Në fund duke iu referuar premtimit për dorëheqje në rast të mosbërjes së ushtrisë nga presidenti Thaçi, Selimi ka thënë se “në vend të mbesim pa atë njeri në Presidencë, po mbesim pa ushtri”.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi ka shpalosur qëndrimet dhe shqetësimet e kësaj partie pas tërheqjes së projektligjit për FSK-në nga procedimi i mëtutjeshëm në Parlamentin e Kosovës.
Sipas Selimit, Lëvizja Vetëvendosje në vazhdimësi ka bërë përpjekje për ta shtyrë Qeverinë ta zbatojë projektligjin për FSK-në dhe ka mbështetur këtë projektligj.
“Në një situatë të tillë i kemi dhënë vërejtjet tona dhe na vjen keq që koha nuk na ka demantuar dhe ka dëshmitarë se kjo nismë është vetëm farsë”, ka thënë ai.
Rexhepi tha se përgjegjës sot që Kosova nuk ka ushtri është vetë Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
-
8 prill 2017 16:48
-
Shpërndaje në: