Arbëri

Osmani kërkon referendum lidhur me dialogun përfundimtar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, në debatin parlamentar për dialogun me Serbinë, ka thënë se nuk ka sot politikan në Kosovë që mund të nënshkruajë marrëveshje për territorin apo çështjen që e vë në rrezik funksionalitetin e brendshëm të Kosovës si shtet, pasi për këtë mund të flas vetëm populli nëpërmjet referendumit.

Osmani tha se po përfaqësohemi nga dikush që dhunshëm bën kompromise në emër të Kosovës, pa u mandatuar nga Kosova.

Sipas saj, Kosovës nuk i duhet njerëz që mbi tavolinë negociojnë fatin e Kosovës dhe përfundi tavolinës fatin e vet politik.

“Meqë çështjet që sot janë në tavolinën e negociatave, nuk prekin çështje teknike, meqë ato prekin vet përkufizimin e shtetit të Kosovës, karakterin e përcaktuar në deklaratën e pavarësisë ku është shprehur vullneti i popullit, nuk ka sot politikan në Kosovë, brenda kësaj salle apo jashtë saj që mund të nënshkruaj marrëveshje për territorin apo çështjen që e vë në rrezik funksionalitetin e brendshëm të Kosovës si shtet, për çështje të tilla duhet të flas populli, pra të vendoset me referendum, prandaj nëse dikush po punon për ide të tilla të çmendura, le ta dijë që atë copë marrëveshje që e nënshkruan, mund ta paloj, ta fus në xhep dhe ta dërgoj në shtëpinë e vet si suvenirë“, tha ajo.

Sipas saj, vijat e kuqe tashmë ekzistojnë, mjafton të lexohet kushtetuta.