Arbëri

Shiu dëmtoi rendimentin e grurit, sërish të varur nga importi

Reshjet e mëdha gjatë sezonit të verës, që kanë përfshirë vendin, kanë dëmtuar rendimentin e grurit.

Ekspertët thonë se ndonëse Kosova nuk i plotëson asnjëherë nevojat e veta, këtë vit do të jetë edhe më keq, raporton KTV.

Tahir Tahiri, kryetar i Federatës së Bujqve të Kosovës, tha se në rënien e rendimentit të grurit përveç reshjeve, po ndikon edhe mosaplikimi i masave të duhura agroteknike, pasi bujqit ende punojnë në mënyrë primitive, për shkak të kushteve jo të mira financiare.

Ai tha se prodhuesit bujqësorë nuk po kanë leverdi të kultivojnë kultura të grurit, për shkak të çmimit të ulët të grurit dhe sasisë së madhe të importit nga vendet e rajonit, kryesisht nga Serbia.

Derisa këtë vit e cilësoi si dështues e destimulues për bujqit.

Ndërsa profesori i Fakultetit të Bujqësisë, Ymer Rusinovci, pohon se reshjet e tejzgjatura të shiut kanë bërë që fara e grurit të mos piqet, duke ulur kështu edhe produktivitetin e saj.

Bujqit të cilët merren me prodhimin e grurit, ende nuk kanë filluar të marrin subvencionet për këtë vit.

Dhënia e subvencioneve pas mbjelljes së korrje-shirjeve, sipas sindikatës, po ndikon që bujqit të mos përdorin farë cilësore dhe plehra të mjaftueshme për të rritur produktivitetin e grurit. Shuma e mjeteve financiare që përfitojnë bujqit për një hektar të mbjellë me grurë është 150 euro.

Sipas të dhënave zyrtare, në territorin e Kosovës me drithëra këtë vit janë mbjellë mbi 83 mijë hektarë tokë, kurse vetëm me kulturën e grurit, janë mbjellë 74 mijë hektarë.