Arbëri

Keqpërdorimi me veteranët, kreu degës në Skenderaj akuzohet për mijëra

Tani kur është shkarkuar, Muhamet Bajraktari, sekretar i deritashëm i OVL-së së UÇK-së në Skenderaj, ka vendosur t’i bëjë publike keqpërdorimet e dy vjetëve të fundit, që thotë se janë bërë nga udhëheqësit e kësaj organizate.

Bajraktari ka treguar për Kohavisionin se Emin Lati, kryetar i veteranëve në këtë qytet, për shfrytëzim personal, në vazhdimësi ka marrë para kesh nga pagesat për libreza të anëtarësisë.

Sa herë që Lati ka marrë mjete, Bajraktari thotë se ka mbajtur shënime, derisa shton se shpesh nuk ka mundur t’i kryejë pagesat në bankë, për shkak se i kanë munguar mjetet e paguara nga veteranët.

Secili veteran që dëshiron të pajiset me librezë duhet t’i paguajë 15 euro, prej të cilave 7 euro duhet t’i paguhen qendrës dhe 8 të tjera degës.

E në bazë të kësaj, sipas Bajraktarit, dega në Skenderaj ka lëshuar 1961 libreza, ndërkaq në bankë janë paguar vetëm 7790 euro.

Kështu, mungojnë 4 mijë euro sepse për këtë shifër të anëtarësisë është dashur të paguhen 12 mijë e 95 euro.

Krejt këto keqpërdorime të parave të paguara për anëtarësi, Bajraktari thotë se Emin Lati i ka marrë edhe në emër të kryetarit të qendrës, Hysni Gucati.

Por, këto akuza i mohon kryetari i degës, i cili thotë se asnjëherë nuk ka marrë para prej zyrës.

Sipas tij, Bajraktari vetë ka manipuluar me fatura, ndërkaq për shkak se është larguar nga puna, po hedh akuza të pabaza.

Ndërkaq, kryetari i Përgjithshëm i Organizatës së Veteranëve ka thënë se nuk është në dijeni se në emër të tij janë marrë këto mjete.

Sipas tij, nëse Bajraktari e ka ditur një gjë të tillë dhe nuk i ka lajmëruar këto keqpërdorime, është bërë pjesë e tyre.

Në bazë të shënimeve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, në Skenderaj, pjesë e luftës ishin 2800 individë, ndërkaq statusin e kanë fituar 4800.