Arbëri

Hoxhaj për Reuters: Serbia synon dominimin politik e ekonomik mbi rajonin në stilin rus

Tregu i përbashkët rajonal po vazhdon të hasë në kundërshtime të shumta nga pala kosovare.

Në një prononcim për Reuters, ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se me këtë ide Serbia po tenton ta dominojë rajonin politikisht dhe ekonomikisht. Ai ka thënë se tentativa e Serbisë për ta dominuar rajonin në stilin rus është e papranueshme për Kosovën.

“Ne nuk duam ta shohim një Serbi që në stilin rus mundohet ta dominojë rajonin politikisht”, ka thënë Hoxhaj për Reuters.

Në artikullin e publikuar sot në Reuters, kjo ide cilësohet si ripaketim të së kaluarës në Ballkan, ide kjo e cila po përkrahet edhe nga përfaqësues të BE-së.

Edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa e ka kundërshtuar idenë për tregun e përbashkët duke thënë se me këtë do të rikthehet e kaluara e njëjtë vetëm e veshur ndryshe.

Ideja për Treg të përbashkët ka dalë në Samitin e Sarajevës ku qenë takuar kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Shqipëria me kryeministrin Edi Rama ka përkrahur këtë ide, kundër secilës, pos Kosovës është shprehur edhe Mali i Zi.