Arbëri

Vetëm 4,2 për qind e serbëve përkrah njohjen e Kosovës

Descriptive Text

Beograd, 26 korrik – Ndërsa ndarjen e Kosovës në pjesën serbe e shqiptare e mbështet një e treta e të anketuarve, çdo i dyti qytetar i Serbisë konsideron se duhet të shpallet referendum në lidhje me zgjidhjen përfundimtare për Kosovën. Kështu tregon një sondazh i kryer nga Mendimi i Ri Politik Serb, raporton e përjavshmja e Beogradit, “Vreme”, transmeton Koha.net.

Për referendum janë deklaruar 49,4 për qind e të anketuarve, kundër 34 për qind, kurse pa qëndrim ishin 16,6 për qind e tyre.

Sipas këtij sondazhi 71,5 për qind e të anketuarve është kundër dhënies së pëlqimit që pranimi i Kosovës në OKB të jetë kusht për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian, 12 për qind janë për, kurse 16,5 për qind nuk kishin përgjigje.

Hulumtimi i kryer nga data 12 deri më 19 korrik tregon se për shtyrjen e zgjidhjes së problemit të Kosovës “për një kohë më të mirë” janë 43 për qind e qytetarëve, ndarjen në pjesën serbe e shqiptare të Kosovës e mbështet një e treta e qytetarëve, përkatësisht 33,4 për qind e të anketuarve, 19,4 për qind ishin pa përgjigje, kurse 4,2 për qind mendon se duhet të pranohet pavarësia e Kosovës, transmeton Koha.net.