Arbëri

Kurti: Qeveritë lejuan sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në veri

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka përkujtuar heroin Emnver Zymberi, i cili u vra para shtatë vitesh në veri të Kosovës, gjatë përpjekjes së institucioneve për të shtirë sovranitetin në atë pjesë të vendit.

Kurti ka thënë se Qeveritë e Kosovës kanë lejuar sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në veri, duke thënë se ato edhe kanë bashkëpunuar me to, përcjell KosovaPress.

I pari i Vetëvendosjes ka kujtuar edhe momentin kur pa babin e Zymberit në televizor, duke pritur ngushëllime për të birin.

“Kishte kohë që nuk e kisha takuar Rremën, siç e thërrisnim Muharrem Zymberin në burgun e Pozharevcit. U stepa kur e pashë në televizor në krye të radhës së familjarëve që prisnin për ngushëllime. Ia kishin vrarë djalin, Enverin. Pranë arkivolit të të birit përshëndetej me policët e shumtë të cilët e kishin humbur kolegun më të mirë e më trim të tyre. Shtatë vjet më vonë shënojmë edhe një përvjetor të vdekjes së policit dëshmor, Enver Zymberit, i cili u vra nga kriminelët serbë në veri të Kosovës. Enver Zymberi është hero i integritetit të Kosovës”, ka shkruar Kurti.

“Gjatë bombardimeve të NATO-s, kur ishte shumë i ri, Enveri e kishte babain në burg të Serbisë kurse me gjithë familjen e deportuan në Shqipëri. Mirëpo, ai menjëherë u mobilizua në radhët e UÇK-së në Kukës dhe hyri në luftë në Koshare. 12 vjet më vonë bie dëshmor në Kosovën e shpallur të pavarur. Qeveritë e Kosovës e kanë lejuar sundimin e strukturave kriminale të Serbisë në veri. Madje, ato edhe kanë dialoguar e bashkëpunuar me to: prej kontrabandës që zhvillohej në veri të vendit e deri te formimi i koalicioneve qeverisëse në Prishtinë”, ka vazhduar ai.

Ai tutje ka thënë se “janë të njëjtit pushtetarë që sot nuk kanë vija të kuqe për Serbinë dhe nuk skuqen për zhvatjet e tyre në Kosovë. Ata nuk e respektojnë as dëshmorin e as qytetarin e Kosovës, prandaj nuk mund ta përfaqësojnë Kosovën”, shkroi ai, duke përfunduar me nderime dhe lavdi për Zymberin.