Arbëri

Kryeimami Bajgora s’do të ftohet si dëshmitar siç kërkoi i akuzuari për terrorizëm

Descriptive Text

Ardian Mehmeti, i akuzuar për vepra penale që ndërlidhen me terrorizëm, ka kërkuar nga trupi gjykues që në cilësi të dëshmitarit të ftohet kryeimami i Bashkësisë Islame, Sabri Bajgora.

Së bashku me Mehmetin, në këtë rast po akuzohen edhe Valon Shala, Genc Selimi, Nuredin Sylejmani dhe Musli Hyseni.

Në seancën e së hënës, i akuzuari Mehmeti tha se kryeimami i Bashkësisë Islame mund të dëgjohet në cilësi të dëshmitarit sa i përket ideologjisë ekstreme fetare, për të cilën ai tha se akuzohet nga ana e prokurorisë, si dhe lidhur me ideologjinë fetare radikale, pasi që sipas tij Bajgora kishte qenë edhe profesor i tij gjatë kohës së studimeve në shkenca islame.

Mirëpo, propozimi i Mehmetit u refuzua nga trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësi Naser Foniqi, kurse të njëjtit iu aprovua vetëm kërkesa për dëgjimin e dëshmisë së hetuesit A.O.

Ndryshe, gjatë seancës në fjalë u bë edhe prezantimi i provave nga ana e prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Afrim Shefkiu, të cilat me miratimin e avokatëve mbrojtës dhe të akuzuarve vetëm u lexuan.

Por, provat e prezantuara nga prokurori Shefkiu u kundërshtuan nga mbrojtësit Nikë Shala, Murat Demolli, Bekim Kafegjolli, Zahide Gjonaj dhe Drita Alihajdari.

Ndër ta edhe i akuzuari Ardian Mehmeti, i cili sipas detyrës zyrtare mbrohet nga avokati Demolli, tha se të gjitha gjërat e sekuestruar në shtëpinë e tij përveç dy armëve ishin gjëra të zakonshme të cilat i përdorte për nevoja shtëpiake.

Ai tha se bateritë që përdoren për orë e gjëra tjera nuk janë mjete piroteknike, e as nuk është plehu artificial e pajisjet teknologjike.

Sipas të akuzuarit Mehmeti, në raportin e bërë nga ana e hetuesve shkruante se janë pajisje të kompletuara për inicim të eksplozivëve, për çka ai tha se të gjitha mjetet që janë gjetur në shtëpinë e tij kanë qenë secila në vendin e vet e jo të kompletuara në një.

Tutje, Mehmeti deklaroi se nga gjërat që i ishin gjetur kishte qenë një dritë led e cila kishte qenë e papërdorshme, por që atë mundohej ta rregullonte për ta vendosur në një kioskë 150 metra larg prej shtëpisë së tij, pasi që aty nuk kishte pasur energji elektrike.

Ndërsa sa i përket ditarit të gjetur, i akuzuari deklaroi se aty ka pasur shënime të dedikuara për bashkëshorten e tij, dhe se ende nuk e di si ka mundur të sekuestrohej një pronë e tillë.

Mbrojtësi i Genc Selimit, avokati Bekim Kafegjolli tha se ka vërejtje lidhur me raportin e drejtorisë kundër terrorizmit, ku thuhet se pas arrestimit të të pandehurve ka pasur kërcënime, duke thënë se i mbrojturi i tij kishte qenë në paraburgim në atë kohë.

Kurse avokati Nikë Shala, mbrojtës i të akuzuarit Valon Shala, tha se si provë dëshiron të evidentohet fatura e tatimit në pronë e shtëpisë që shihet se është në emër të Ejup Shalës e jo të klientit të tij, dhe se pushka e gjuetisë e cila ishte gjetur gjatë sekuestrimit sipas tij kishte qenë në emër të babait të Valon Shalës, e jo e të akuzuarit.

Tutje avokati Shala tha se përmendet edhe një revole pneumatike ajrore, e cila sipas tij kishte qenë në dhomën e prindërve të Valon Shalës, e që sipas ekspertizës së përpiluar për armë të zjarrit thuhej se kjo pistoletë nuk ishte funksionale.

Seanca e radhës u caktua të mbahet me 7 shtator, në ora 13:00. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, kishte ngritur aktakuzë më 23 janar 2015, ndaj Ardian Mehmeti, Nuredin Sylejmani, Genc Selimi, Valon Shala e Musli Hyseni, të cilët akuzohen se gjatë vitit 2013, janë përfshirë në vepra të ndryshme që lidhen me terrorizmin.

Sipas prokurorisë të akuzuarit këto vepra penale i kanë kryer në Kosovë dhe Siri.

Ardian Mehmeti, akuzohet se ka kryer veprat penale “organizimi dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, “vrasje e rendë”, “marrja e pengjeve”, “rrëmbimi”, “kryerja e veprës terroriste”, “zjarre vënia”, “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, “shkaktimi rrezikut të përgjithshëm”, “armëmbajtje pa leje”.

Nuredin Sylejmani, akuzohet se ka kryer veprat penale “lehtësimi në kryerjen e terrorizmit”, “armëmbajtje pa leje”, dhe “sulm”.

Kurse, Musli Hyseni, ngarkohet nga prokuroria me veprat penale “armëmbajtje pa leje”, “moslajmërim të përgatitjes së veprave penale” dhe “moslajmërim të veprave penale apo kryerësve të tyre”.

Ndërsa, Genc Selimi, akuzohet se ka kryer veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnike”, kurse Valon Shala, akuzohet për veprën penale “armëmbajtja pa leje”.