Arbëri

Shqipëria përfshihet nga erëra të forta e shi i rrëmbyeshëm

Mot i ligë ka përfshirë gjithë Shqipërinë.

Reshjet e dendura të shiut kanë “ngatërruar” stinë, pasi kanë pushtuar vendin në mes të verës, duke filluar që në orët e para të ditës së sotme.

Në shumë qytete të vendit, dendësia e tyre ka bërë që niveli i ujit të shkojë në disa centimetra, duke vështirësuar qarkullimin, apo shkaktuar edhe përmbytje, raporton TCH.

Kështu në qytetin e Shkodrës, për shkak të reshjeve të shumta, është përmbytur edhe spitali rajonal i qytetit, si dhe zona të tjera përreth. Pamjet tregojnë se uji është futur në katin e parë të spitalit dhe vërshon nëpër korridore e salla të tij.

Pasditen e së hënës, edhe në Durrës ka pasur reshje të dendura shiu. Si pasojë e tyre, rrugët janë përmbytur dhe makinat janë detyruar që të “notojnë”.

Edhe qyteti i Beratit është përfshirë nga një stuhi e fuqishme shiu. Erërat e forta kanë sjellë pamje të frikshme nga Berati, ku raportohet edhe për pemë të shkulura.

Ndërkohë reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëme të mëdha në bregdetin e Orikumit. Çadrat e plazhit kanë dalë në rrugë, ndërkohë që shezlongët janë dëmtuar.

Prishja e motit ishte lajmëruar dhe pritet që reshjet të vazhdojnë edhe të martën.

Kujtojmë se mijëra pushues nga Kosova ndodhen aktualisht në Shqipëri. Vetëm këtë fundjavë, kanë hyrë rreth 25 mijë persona nga Kosova, derisa destinacioni i tyre ka qenë bregdeti i Shqipërisë.

Nga të dhënat e Policisë Kufitare, bëhet e ditur se numri më i lartë i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri përmes Morinit kanë qenë nga Kosova, por ka pasur edhe nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

{gallery}