Arbëri

Haradinaj: Grupi punues i Asociacionit nuk është produkt i Qeverisë sime

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se përbërja e grupit punues për hartimin e statutit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe nuk është produkt i qeverisë aktuale.

Ai ka thënë se ka provuar të pasurojë këtë grup por nuk ka gjetur përkrahje. Megjithatë, sipas Haradinajt, e mira e krejt kësaj çështje është që në fund nevojitet fjala e Gjykatës Kushtetuese.

Këto deklarime, Haradinaj i bëri në seancën e sotme plenare, derisa iu përgjigj deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hotit.

E Hoti kërkoi sqarim pse ekziston një përbërje e tillë e grupit, pa asnjë zyrtar të Qeverisë së Kosovës dhe përfaqësues të OSBE-së.

“Pse në grupin punues nuk ka asnjë zyrtar të qeverise dhe OSBE-së, dhe a e keni takuar ndonjëherë këtë grup punues për atë se cfarë po punojnë ndërkohë ky grup?”, tha ai, raporton KsP.

Kryeministri Haradinaj, duke thënë se iu është mohuar e drejta për të shtuar persona të tjera në përbërje, meqë nga Bashkimi Evropian iu është thënë se dakordimi ka qenë ky, tha se e rëndësishme është që materiali duhet të merr miratimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Grupi i sotëm dhe përbërja e tij nuk është produkt i kësaj Qeverie. Tendenca që me ndërhy ose pasuru nuk ka has në përkrahje, për garanca është Gjykata Kushtetuese, mendoj që për çdo shqetësim e shpjegon, na siguron”, tha Haradinaj.

Deputeti Hoti ka ngritur edhe ngriti çështjen e hartimit të draftit që nuk është bërë në gjuhën zyrtare.

“A është kjo rezultat, ju vet keni deklaruar që, nuk e keni hapur fare dosjen që merret me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, dhe tash jemi para një situate të tillë që po përgatitet një statut që as në gjuhë zyrtare të Kosovës nuk është dhe ju vjen në zyrën tuaj”, tha ai.

E përgjigja e Haradinajt ishte se çdo gjë është produkt i qeverisë që dikur udhëhiqej nga partia prej së cilës vjen deputeti Hoti.

“E kam përshtypjen Avdullah që vetëm ke qejf me shpurdh në disa gjëra që nuk janë shumë për diskutim sot. Edhe grupi edhe çdo gjë të Asociacionit e kam produkt të Qeverisë suaj, por nuk deshta me ja ngjitë emrin bash ashtu. Jam munduar me i shti pak duart, por më kanë thënë zotni që qysh i ke letrat, shkresat, i kam vendimet këtu por nuk po du me i diskutu. Është diçka e mirë, pa marrë parasysh në proces, ata para meje, një punë e kishin pas bë mirë, që me lënë me ia dhënë vlerësimin Gjykata Kushtetuese. Vonesat pse i kam bërë unë kanë karakterin e asaj që Kosova duhet të jap një kontribut shtesë, mos të bazohet vetëm në ato më herët , filtrin e kemi gjykatën”, tha ai.

Haradinaj në seancë u pyet edhe për shumë çështje tjera.