Arbëri

VV reagon pas arrestimit të aktivistit të tyre në kufi me Shqipërinë

Descriptive Text

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook, ka njoftuar se është arrestuar aktivisti i tyre Shkëlqim Morina.

“Pushteti do të tregojë se nuk dorëzohet në gabimet e tij. Kështu sot, aktivisti Shkelqim Morina është arrestuar në kufirin me Republikën e Shqipërisë, derisa shkonte në pushime me gruan e tij. Arrestimi i tij është bërë për shkak të aksioneve të mëhershme politike. Shqetësimi i aktivistëve për projektet e dëmshme politike në Kosovë është treguar i drejtë, angazhimi i tyre i dobishëm, kurse instalimi përdhunshëm i atyre projekteve nga ana e Qeverisë është vërtetuar si i rrezikshëm për shtetin e Kosovës. Kjo është dëshmuar edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në reagimin e tyre.

Sot, shkruan tutje VV, arroganca e pushtetit dhe mospërfillja me të cilat qeveritarët shkojnë në Bruksel po i detyrojnë qytetarët të dalin në protesta sërish.

“Pikërisht në këtë kohë vazhdon edhe përndjekja e aktivistëve. Brutaliteti i qeverisë nuk e ka bërë që të fitojë, por thjesht të dalë kërcënuese por edhe e zmprapsur nga populli. Kështu edhe do të ndodhë”, përfundon reagimi.