Arbëri

Çeku: Turistët po shohin ndryshimin në Shqipërinë më të pastër

Qeveria shqiptare ka një strategji të mirëfilltë për pastrimin e mjedisit. Aksioni të pastrojmë Shqipërinë, si pjesë e kësaj strategjia ka rezultuar mjaft pozitiv dhe turistët tashmë shohin një vend më reprezentativ.

Zv/Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrulla Çeku, gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare bëri të ditur se, fakti më i mirë është reagimi i turistëve.

“Rezultatet nëse i raportojmë vetëm ne si institucione mund të vlerësohen si subjektive, por turistët janë ata që flasin më mirë se kushdo tjetër. Ata që kanë qenë dhe më herët, kanë vlerësuar si shumë pozitive punën e bërë nga qeveria shqiptare për të pastruar shtretërit e lumenjve, plazhet dhe mjedisin në tërësi. Vërehet ndryshimi tregojnë ata”, tha Çeku.

“Kemi ndërmarrë një aksion 6-mujor, janë mbi 15 vendime qeverie dhe janë mobilizuar dhjetëra mijëra qytetarë për të pastruar vendin”, tha Çeku.

“Rezultati është shumë pozitiv dhe kemi një Shqipëri më reprezentative, më të pastër. Nuk përfundon këtu, jemi të vetëdijshëm se ka ende punë për të bërë. Janë 15 vendime qeverie, janë radikale, nga guroret te qeset plastike, duke vijuar me skrapin, makinat në pikën e vdekjes, problematika këto të trashëguara dhe duhen punë e vazhdueshme për t’i zgjidhur në mënyrë afatgjatë. Kemi hartuar strategjinë Kombëtare të menaxhimit të mbetjeve, një koncept të ri për të trajtuar mbetjet”, tha Çeku.

Ai theksoi se efektet nuk do të jenë të menjëhershme, por brenda një dekade.