Arbëri

Rukiqi: Kosovën e pret rrugë e vështirë drejt anëtarësimit në OBT

Kosova ende nuk e ka bërë dorëzimin zyrtar të kërkesës për aplikim në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT), ndonëse ministri i Tregtisë dhe Industrisë, javë më parë ka marrë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për këtë aplikim.

E rruga drejt anëtarësimit në këtë organizatë të Kombeve të Bashkuara vlerësohet të jetë e vështirë për Kosovën, pasi që krahas plotësimit të kritereve teknike, një vendim i tillë varet edhe nga vullneti i 164 anëtarëve të OBT-së, raporton KTV.

Për këtë, Ministria e Tregtisë thotë se është duke u koordinuar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Zyrën e kryeministrit.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është në finalizim të kërkesës, e cila do të dorëzohet në OBT dhe pas konsultimit me Zyrën e kryeministrit, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe partnerët politikë strategjikë, ministri i MTI-së, Bajram Hasani, do të dorëzojë kërkesën për aplikim në OBT, në cilësinë e statusit të anëtarit vëzhgues”, thuhet në përgjigjen e MTI-së, duke mos e treguar datën se kur do të bëhet një gjë e tillë.

Rruga deri në marrjen e statusit anëtarë vëzhgues në këtë organizatë përfshin disa faza. Ky proces fillon me dorëzimin e kërkesës formale për anëtarësim nga Qeveria e Kosovës, e që më pas krijohet një grup punues për anëtarësimin. Nga Kosova duhet të dorëzohet, po ashtu, Memorandumi mbi regjimin e Tregtisë së Jashtme, i cili i paraprin negociatave mbi kushtet e anëtarësimit. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)