Arbëri

Petroviq e Jabllanoviq me parti të re

Një krah i është ndarë Listës Serbe (LS). Ish-kryetari i këtij subjekti politik, Aleksandër Jabllanoviq, dhe nënkryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, kanë nisur procedurat për formimin e një subjekti të ri politik.

Të dy aktualisht ndodhen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kanë bërë të ditur burime të portalit Koha.net.

“Në Zyrën për regjistrimin e subjekteve politike, ata kanë deponuar 579 nënshkrime, të cilat janë kryesisht të serbëve të komunave të veriut, e veçmas të Leposaviqit”, ka thënë ky burim.

Këtë javë, serbët e Kosovës patën nisur një luftë mes vete për kreun e subjektit kryesor politik që kanë – Listën Serbe. Në dyluftim ishin Aleksandër Jabllanoviq e Sllavko Simiq.

Këtë javë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka zyrtarizuar për kryetar ish-ministrin për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Jabllanoviq, të cilin kryeministri Isa Mustafa e kishte shkarkuar nga posti ministror, shkaku i një deklarate fyese ndaj nënave gjakovare të të pagjeturve të luftës, shkruan koha.net. Ish-ministri është themelues i LS-së, subjekt politik që mban lidhje të forta me Serbinë. Kryetar ka qenë deri në fund të 2015-s, kur me kërkesë të Qeverisë së Serbisë është larguar dhe në vend të tij, si ushtrues detyre i kryetarit, ishte caktuar deputeti Simiq, i cili është shef i grupit parlamentar të LS-së.

Pas largimit nga kreu i LS-së, Jabllanoviq ka ushtruar funksionin e sekretarit të shtetit në Ministrinë e Punës të Qeverisë së Serbisë, por kohë më parë është tërhequr pas arrestimit të vëllait të tij, të cilit i ishte gjetur drogë në automjetin zyrtar të kësaj ministrie, që e kishte në shfrytëzim.

Kur në 2015-n ishin bërë ndryshimet, Jabllanoviq e Simiq kishin deponuar në KQZ një shkresë në dorëshkrim, e cila niste me “Republika e Kosovës”.

“Koha Ditore” e ka siguruar një kopje të këtij dokumenti, i cili mban firmën e të dyve. Tani të dy ndaras kanë deponuar shkresa në të njëjtin institucion. Por, në asnjërën prej tyre nuk është përmendur fjala “Republikë”.

Të hënën, në KQZ Jabllanoviq ka deponuar tri shkresa njoftuese për ndryshime në kreun e LS-së, duke e prezantuar veten kryetar. Dokumentet të cilat i ka siguruar gazeta, nuk mbajnë ndonjë vulë, por vetëm firmën e ish-ministrit. Në to është dhënë arsyeja pse Simiqit i është pushuar ushtrimi i detyrës së kryetarit të LS-së.

“Për shkak të mungesës së bashkëpunimit të z. Sllavko Simiq me mua si themeluesi i Listës Serbe dhe për shkak të mungesës së bashkëpunimit në punën e Kuvendit, si dhe falsifikimit të vendimeve të caktuara, të njëjtit i pushon ushtrimi i detyrës së kryetarit”, thuhet në njërën nga shkresat. KQZ-ja ka vepruar sipas kërkesës së Jabllanoviqit.

Miradije Mavriqi, drejtoreshë Zyrës për regjistrimin e partive politike në KQZ, iu ka thënë medieve serbe se ndryshimet në kreun e LS-së janë bërë konform ligjit.

“Çdo gjë është bërë sipas rregullave. Më herët, më 2015, Jabllanoviq kishte bartur autorizimet te Simiqi, ndërsa tash ato ia ka rikthyer vetes”, ka deklaruar Mavriqi.

Gazeta e ka kontaktuar Mavriqin, nga e cila ka kërkuar më shumë detaje, por ka refuzuar të flasë.

Burime të gazetës kanë thënë se Mavriqi kishte folur krye më vete, pa e nxjerrë një vendim për këtë.

Simiq e ka mbështetjen e numrit më të madh të deputetëve serbë, e edhe të lidershipit të Serbisë.

LS-ja është subjekti kryesor politik i serbëve të Kosovës, i cili mban lidhje të forta me Beogradin. Ky subjekt politik nuk ia njeh shtetësinë Kosovës. pas miratimit të Ligjit për Trepçën, me të cilin Qeveria bëhet aksionare kryesore në tri njësi thelbësore të këtij gjiganti, përfaqësuesit e LS-së kanë bojkotuar institucionet. Janë rikthyer dy javë më parë. Krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe kundërshtimi i transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri janë dy arsyet “zyrtare” që e kanë kthyer këtë subjekt në institucione, pas gjashtë muajsh bojkot.