Bahtiri fton në takim për të kundërshtuar tendencat për ndarjen e Kosovës

Bahtiri fton në takim për të kundërshtuar tendencat për ndarjen e Kosovës

21 korrik 2018 14:49

Duke parë se disa zhvillime të kohëve të fundit lidhur me situatën në vend në përgjithësi, po shkojnë në drejtim të kundërt me interesat kombëtare dhe shtetërore të Kosovës, kryetari i Komunës së Mitrovicë, Agim Bahtiri, njofton se ka caktuar për të hënën, më 23.07.2018 një takim në të cilin do të bisedohet për këto zhvillime dhe për aktivitetet e nevojshme për të kundërshtuar ato.

“Deklaratat e liderëve të vendit se në bisedimet me Serbinë nuk do të ketë vija të kuqe, janë paralajmërime ogurzi për të ardhmen e Kosovës, që nënkuptojnë edhe mundësinë e ndarjes së Kosovës. Meqë situata është tepër serioze, ajo kërkon mobilizimin e të gjithë qytetarëve dhe institucioneve të vendit për të kundërshtuar fuqishëm tendencat e këtilla, që janë aspirata të kamotshme të Serbisë”, thotë Bahtiri.

Bahtiri fton përfaqësuesit e institucioneve, liderët e të gjitha partive politike, përfaqësuesit e komuniteteve fetare, të OJQ-ve e asociacioneve të ndryshme dhe personalitetet me autoritet e ndikim, që të marrin pjesë në këtë takim dhe të japin kontributin e tyre për parandalimin tendencave të këtilla që janë në kundërshtim të plotë me interesat e shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të tij.

Në këtë takim pritet që të flitet dhe të arrihet dakordimi për mundësinë e organizmit të një proteste gjithë popullore gjatë javës së ardhshme.

Takimi do të mbahet në ambientet e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 12:00.

Kujtojmë se ditë më parë, ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, në një intervistë për Rubikonin, për herë të parë, një ambasador i Shteteve të Bashkuara refuzoi të mohonte mundësinë që në Bruksel të diskutohet me Serbinë për çështjen e territoreve.

Kjo u bë temë diskutimi tani në Kosovë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme