Arbëri

Policia po shqyrton rastet e zyrtarëve që marrin edhe pension invalidor

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka pranuar se ka marrë rekomandim nga Inspektoriati Policore i Kosovës, lidhur me suspendimin e 94 zyrtarëve policorë, të cilët kanë qenë ish pjesëtar të UÇK-së dhe gëzojnë statusin e invalidit të luftës.

E derisa organizata e dala nga lufta kanë reaguar ndaj këtij rekomandimi, zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, i ka thënë Ksp-së, se po shqyrtojnë këto rekomandime.

Dje Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Pejë i ka kërkuar Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, që të mos suspendojë nga puna policët dhe oficerët e PK-së, ish-ushtarë të UÇK-së, sipas propozimit të bërë nga Inspektorati i Policisë, për shkak se ata marrin pension invaliditeti të luftës.

“Ne kërkojmë që këta policë të amnistohen, të paktën deri sa Komisioni Mjekësor Invalidor i formuar në fund të vitit 2017, të rivlerësojë gjendjen e tyre shëndetësore dhe të rivlerësojë shkallën e tyre të invaliditetit. Secili invalid i luftës, përfshirë edhe ata që deri më tani gëzojnë pension invalidor, do të vlerësohet para këtij komisioni, e ne jemi optimist se shumë bashkëluftëtarë, tani më janë shëruar dhe gëzojnë shëndet të mirë”, thuhet në njoftimin e OVL të UÇK-së.

“Ne shpresojmë që Drejtoria e Policisë, do e pres vendimin e rivlerësimit të tyre nga Komisioni Mjekësor, para se të marrë çfarë do vendimi në lidhje me çështjen”, thuhet më tej në këtë reagim të kësaj dege të OVL-UÇK.