Oda Ekonomike e Bosnjës do masa reciproke ndaj Kosovës, por kjo s’e dëmton tregun vendor

20 korrik 2018 19:55

Pak ditë pas zbatimit të vendimit të Qeverisë për masën mbrojtëse prej 17 për qind të çmimit për qumështin që importohet nga Bosnjë dhe Hercegovina, ka reaguar Oda Ekonomike e këtij shtetit.

Ata kanë kërkuar që masa të ketë edhe për produktet që Kosova i eksporton në Bosnjë.

E në veçanti është përmendur uji mineral, i cili eksportohet në vlerë të 700 mijë eurove në vit.

Megjithatë, në Ministrinë e Tregtisë tregojnë se deri tani, nuk kanë pranuar asnjë reagim nga ky shtet.

Njohësit e çështjeve ekonomike pajtohen me vendimin e Qeverisë, si dhe tregojnë se vendosja e masave nga Bosnja për produktet e Kosovës, nuk do të mund të ndikojnë në fitimin që realizohet.

Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se importi i qumështit nga Bosnja pati shënuar rritje për nga 1 milion euro më shumë që nga viti 2015.

Në vitin e kaluar, sasia e qumështit të importuar ka qenë 8.4 milionë litra dhe në shumë prej 4.5 milionë eurosh.

Ndërsa, vetëm në gjashtë-mujorin e parë të këtij viti, sasia ka shënuar sërish rritje, duke arritur sasinë e 5.4 milionë litrave.

Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci, tregon se praktikat e deritanishme të masave mbrojtëse kanë rezultuar me ulje të importit.

Ky vendim i Qeverisë u pat marrë pas kërkesës së Ministrisë së Tregtisë më 16 prill.

Reagimi pati ardhur, pasi kjo ministri pati hetuar se qumështi nga Bosnja shitet në tregun kosovar me një çmim më të ulët se sa ai vendor, duke shkelur rregullat anti-damping.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme