Arbëri

Pacolli ka gjasë të mos shkojë fare në Novi Pazar, s’ka përgjigje nga Serbia për leje hyrjeje

Ftesa për pjesëmarrje në një konferencë në Novi Pazar që iu bë dje zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm, Behgjet Pacolli, ka alarmuar autoritetet serbe.

Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë për mediat serbe se Serbia do të reagojë seriozisht, me përgjegjësi dhe me dinjitet ndaj ftesës së Pacollit, raporton KTV.

Pacolli, të enjten në “Interaktiv” ka thënë se nuk do të tentojë të hyjë në territorin serb pa lejen e autoriteteve të shtetit fqinj.

Por Pacolli as sot nuk ka marrë përgjigje për të vizituar Novi Pazarin.

KTV-ja sot ka kontaktuar edhe me drejtorin e zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, i cili ka thënë se nuk dëshiron të deklarohet për këtë çështje.

“Nuk dua të komentoj në lidhje me rastin në këtë moment”, ka thënë Gjuriq.

Njohës të çështjeve politike thonë se deklaratat e zyrtarëve serbë janë si një lloj shantazhi dhe presioni para arritjes së marrëveshjes finale në Bruksel dhe për shkak të ndalimit që autoritetet kosovare ua bënë disa zyrtarëve serbë.

Për politologun, Ramush Tahiri, kjo tregon marrëdhëniet jo të mira në mes të dyja shteteve.

Këshilli kombëtar boshnjak e ka ftuar Pacollin që të vizitojë Novi Pazarin dhe Rashkën më 21 e 22 korrik. Pacolli u ftua në cilësinë e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës për të folur për të drejtat e njeriut.