Marrëdhëniet midis Kosovës e Maqedonisë, model për rajonin

Marrëdhëniet midis Kosovës e Maqedonisë, model për rajonin

20 korrik 2018 15:50

Prishtinë, 20 korrik – Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, ka pritur sot homologun e tij nga Republika e Maqedonisë, z. Nikolla Dimitrov, në vizitën e tij të parë në Kosovë që prej se ka marrë mandatin e tij.

Në takimin dypalësh është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale me prioritet, që Kosova ka me Republikën e Maqedonisë, rolin dhe mbështetjen e saj të vazhdueshme, bashkëpunimin në shumë fusha, si dhe koordinimin e të ardhmes së përbashkët euro-atlantike, thuhet në njoftimin për media të kësaj ministrie .

Duke e uruar homologun e tij maqedonas për arritjen e Marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit me Greqinë për emrin dhe pranimin e ftesës për t’u bërë anëtare e NATO-s, ministri i Jashtëm, Pacolli, ka vlerësuar se këto takime si edhe ato të nivelit më të lartë shtetëror dëshmojnë për një stad cilësor të institucionalizimit të marrëdhënieve mes institucioneve të të dyja vendeve dhe mund të shërbejnë edhe si shembull bashkëpunimi në rajon.

“Kosova, natyrshëm, i ka parë dhe i sheh me prioritet marrëdhëniet me Maqedoninë dhe vlerëson se ato janë në nivel mjaft të mirë. Konstatojmë se edhe Maqedonia natyrshëm i konsideron si mjaft të mira marrëdhëniet me ne dhe se dy palët kemi shprehur vullnet pozitiv për thellimin e bashkëpunimit midis dy vendeve tona. Ne kemi arritur të nënshkruajmë 21 marrëveshje në mes dy vendeve. Kemi në proces 4 nisma të reja dhe disa memorandume ”, ka thënë Pacolli.

Theks të veçantë në takim i është dhënë rritjes së bashkëpunimit ekonomik, turizmit, bashkëpunimit doganor, aspekteve të shëndetësisë, si dhe mundësive të reja për zhvillimin e dy republikave.

Më tej, numri dy i Qeverisë, Pacolli, ka theksuar nevojën e përkrahjes së mëtutjeshme të Republikës së Maqedonisë për përshpejtimin e procesit të liberalizimit të vizave edhe pas rekomandimit pozitiv nga KE.

Nga ana tjetër, ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë, z. Nikolla Dimitrov, ka vlerësuar, gjithashtu nivelin e marrëdhënieve në mes dy vendeve, duke shprehur gatishmërinë e palës maqedonase për vazhdimin dhe rritjen e këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat e interesit reciprok.

Edhe ai ka uruar homologun kosovar për rekomandimin pozitiv të KE-së për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës dhe ka shprehur gatishmërinë e tij që të ndihmojë në shtyrjen e këtij procesi përpara.

Gjatë takimit është diskutuar edhe mbi masat mbrojtëse, respektivisht taksën doganore që Qeveria e Kosovës mori pak ditë më herët ndaj importit të disa produkteve nga Maqedonia dhe për kohën e mbajtjes së mbledhjes së përbashkët në mes dy Qeverive, e cila pritet të mbahet së shpejti.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme