Beogradi thotë se Pacolli nuk mund të krahasohet me Gjuriqin, e quan “tajkun”

Beogradi thotë se Pacolli nuk mund të krahasohet me Gjuriqin, e quan “tajkun”

20 korrik 2018 13:47

Zëvendësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka kundërshtuar krahasimin ndërmjet shefit të tij, Makro Gjuriq, dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës, Behgjet Pacolli, transmeton Koha.net.

Duke e bërë këtë, ai është përpjekur të mohojë institucionet e Kosovës, por edhe të fyejë personalitetin e Pacollit, duke e quajtur “tajkun të pasuruar në kurriz të të varfërve në Kosovë”.

Ministri në qeverinë e institucioneve të përkohshme të administrimit në Prishtinë, Behgjet Pacolli, siç e quan Beogradi zyrtar Qeverinë e Republikës së Kosovës, nuk mund të krahasohet me asgjë me drejtorin e Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriqi, theksohet në kumtesën e kësaj zyre.

"Ai dhe Marko Gjuriqi kurrë nuk do të jenë të njëjtë, sepse Marko Gjuriqi ka qenë në tokën e vet, kur Pacolli dhe të tjerët si ai vendosën t’i dërgojnë banditët e armatosur deri në dhëmbë te qytetarët paqësorë dhe duarthatë”, ka thënë zëvendësdrejtori i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviq.

Veç kësaj, tërheq vërejtjen Petkoviq, ata dallojnë edhe për shkak se Marko Gjuriq është në krye të institucionit të një shteti sovran, ndërsa Pacolli është ministër i shtetit inekzistent dhe në krye të ministrisë që nuk ekziston sipas UNMIK-ut dhe Kornizës Kushtetuese e dhe që është e pavërejtur për pjesën më të madhe të njerëzimit, mu sikur që është edhe e ashtuquajtura Ministri e Forcës së Sigurisë, ka thënë ai .

"Po ashtu, Pacolli është tajkun, i cili u pasurua në kohën e tranzicionit derisa qindra mijëra qytetarë për shkak të varfërisë e braktisën Kosovën, ndërsa Marko Gjuriq është personi i cili nga ideali dhe dashuria lufton për popullin e vet, vendin e vet dhe të gjithë ata që jetojnë në të", theksohet në kumtesë.

Petkoviq ka shtuar se Pacolli nuk duhet të frikësohet nga askush që ngre tre gishtërinj, sepse ajo është shenjë e dashurisë serbe ortodokse e trinisë së shenjtë dhe për habi, edhe pse tërë jetën ka qenë i rrethuar me fqinjë serbë, ai nuk ka mësuar asgjë për kulturën tonë.

Mediet serbe kanë vërshuar me lajme për mundësinë ose jo të vizitës së Pacollit në Sanxhak.

Daçiq më herë kishte aluduar se shkuarja e Pacollit në Novi Pazar mund të përfundojë si qëndrimi i Gjuriqit në Mitrovicë më 26 mars, kur ai ishte arrestuar e më pas liruar nga Policia e Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme