Arbëri

Thaçi tregon për vështirësitë e dialogut me Serbinë

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se pozicioni i presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është larg realitetit, pasi e vetmja marrëveshje e pranueshme për Kosovën është njohja formale e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Thaçi në një konferencë për media, tha se në muajt e ardhshëm do të kenë pengesa nga autoritet e Serbisë por ka shpresa për arritjen e marrëveshjes sepse kanë vëmendjen e BE-së, transmeton kp .

“Pavarësisht dallimeve të mëdha që kemi për procesin dhe vështirësive që kemi parë të pakalueshme në mes Kosovës dhe Serbisë, ende ekziston vullneti që ky proces të vazhdojë dhe në muajt e ardhshëm sa kanë mbetur, 6 muaj, të arrihet marrëveshja përfundimtare historike, ajo e normalizimit të marrëdhënieve, e paqes dhe njohjes reciproke në mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Sipas tij, presidenti i Serbisë mendon që Kosova është zemra e Serbisë, do të thotë pozicionet janë shumë të largëta.

“Ky pozicion i presidentit Vuçiq është larg realitetit, njerëzit mund të mendojnë se është me presion në opinionit publik atje, por si liderë ne e kemi obligim ta qartësojmë opinionin tonë në përputhshmëri me realitetin që kemi. Kosova është vend sovran dhe i pavarur dhe kushdo që vjenë në Serbi duhet ta kuptojë atë dhe pozicioni i Prishtinës është i qartë, marrëveshja përfundimtare duhet të jetë në mes dy vendeve sovrane, asnjë marrëveshje tjetër nuk ka kuptim dhe është e përkohshme dhe të ndodhë njohja formale nga Serbia për shtetin e Kosovës dhe anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, tha ai.

Ai shtoi se duhet të sakrifikojnë për të arritur marrëveshja përfundimtare dhe mos të bien pre e zërave populist të politikave ditore por që të shikohet nga e ardhmja.

Thaçi tha se të dy presidentet janë të vetëdijshëm që situata e status-kohës, nënkupton mesazhe dhe situata të reja me mundësi destabilizimi, prandaj kanë vendosur që të vazhdon dialogu për hirë të së ardhmes.