Arbëri

Hoxha tregon pse nuk ishte në delegacionin në Bruksel

21:45 - U përfol gjatë ditës se delegacioni i Kosovës në Bruksel ishte i përbërë vetëm nga burrat.

Ky delegacion përbëhej nga krerët e partive të koalicionit qeveritar dhe zv. kryeministri Dardan Gashi.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha në Rubikon të KTV-së tha se ajo nuk mori ftesë nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini, duke lënë të kuptohet që për secilin prej atyre kishte ftesë.

Sipas Hoxhës, delegacioni kishte atë përbërje me qëllim të reflektimit të konsensusit të partive politike, ndonëse në delegacion ishin vetëm partitë e koalicionit qeveritar.


Sipas Hoxhës, VV çdo lajm pozitiv për Kosovën e shndërron në negativ

21:07 - Duke e komentuar kumtesën e Lëvizjes Vetëvendosje të lëshuar sot pas marrjes së raportit pozitiv për liberalizimin e vizave, ministrja Dhurata Hoxha, tha se është pikërisht kjo parti që mundohet çdo lajm pozitiv për vendin ta kthejë në negativ.

“Të gjithë qytetarët po e shohin se çka do që ka zhvillim të mirë në Kosovë, ata gjithmonë mundohen që ta kthejnë në lajm negativ. Lajmi për liberalizim është vërtet hap i mirë”, ka thënë Hoxha në emisionin Rubikon të KTV-së.

Ministrja përmendi edhe debatin e muajit shkurt në Rubikon për porositë e treshes evropiane, Juncker, Mogherini e Hahn, ku deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollqaku, kishte thënë se Kosova nuk do të merr raportin pozitiv.

“Deputetja e Vetëvendosjes në këtë studio tha se Kosova nuk do të marrë kurrë raportin pozitiv”, ka thënë ministrja Hoxha. Po ashtu, ajo ka thënë se deputetja e Vetvendosjes e humbi bastin.


Hoxha pret që Qeveria e re spanjolle ta zbusë qëndrimin ndaj Kosovës

21:00 - Ministrja Dhurata Hoxha është optimiste se raporti i Spanjës karshi Kosovës do të zbutet me krijimin e Qeverisë së re.

“Po presim që tash me Qeverinë e re kemi sinjale që do të kemi zbutje. Do të jetë Qeveri e re dhe ndoshta ka nevojë për informacione shtesë, do të gjejmë mënyra se si të bisedojmë dhe si t’i qasemi. Prej këtyre vende mos njohëse, Spanja mbetet më skeptike”, ka thënë Hoxha në emisionin Rubikon të KTV-së.

Lobimi i filluar nga kryeparlamentari Kadri Veseli për liberalizimin e vizave, sipas ministres Hoxha, ka efekte të dukshme.


Hoxha thotë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti

Rasti i Kosovës për liberalizimin e vizave do të jetë pjesë e agjendës së komisionit në kuadër të Parlamentit Evropian. Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha në një intervistë për Rubikon të KTV-së, bëri të ditur se kjo do të ndodhë me 29 gusht të këtij viti, raporton Koha.net.

Duke shpjeguar hapat nëpër të cilat duhet të kaloj procesi, ajo u shpreh e vendosur se qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm në fund të këtij viti.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha, 95 kushtet të cilat na janë kërkuar. Kriteret të cilat janë plotësuar i kemi edhe të dokumentuara me konferencën e sotme”, deklaroi Hoxha.

Debati i brendshëm mes shteteve për migracionin, sipas Ministres së Integrimeve, bëri që të shtyj raportin për viza.

“Javët e kaluara kanë qenë një debat shumë i thellë, sidomos në Gjermani e Francë dhe shtete tjera të BE-së e po ashtu edhe në samitin që u mbajt në fund të qershorit, temë kryesore ishte migracioni. Kjo ishte edhe koha e keqe, çka bëri edhe ta vonoj rekomandimin. Pra, u vendos që të përfundohet ky debat dhe Kosova të mos jetë në agjendë në këtë kohë”, shtoi tutje ajo.