FSK-ja sivjet bëhet me 51 automjete të blinduara Humvee

FSK-ja sivjet bëhet me 51 automjete të blinduara Humvee

17 korrik 2018 19:46

Forca e Sigurisë së Kosovës këtë vit bëhet me 51 automjete të blinduara Humvee. 24 do të blihen me paratë e FSK-së, derisa thuhet se 27 të tjera janë donacion nga Ushtria Amerikane, raporton KTV.

Kryeministri i Kosovës ka dekoruar me medaljen “ Gjergj Kastrioti” zëvendëspresidentin e kompanisë ‘AM General’, Lawrance Platt, pasi është i bindur se me nënshkrimin e kësaj kontrate do të forcohen lidhjet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Qeveria e Kosovës ka dekoruar zëvendëspresidentin e kompanisë që do të marrë miliona euro nga Qeveria e Kosovës për ta furnizuar Forcën e Sigurisë me vetura të blinduara, Humvee.

Kryeministri Haradinaj, në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës me “AM General” për pajisjen me 51 vetura të blinduara, ka thënë se e dekoron Lawrance Plattin me dekoratën “Gjergj Kastrioti”, për kontributin që do të japë ai në ruajtjen dhe rritjen e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.


Kryeministri ka shprehur kënaqësinë e tij për modernizimin e Forcës me pajisje të tilla dhe ka thënë se tranzicioni i FSK-së do të bëhet në koordinim të plotë dhe me mbështetjen e aleatëve strategjikë.

Ambasadori i SHBA-së, Greg Delawie, u shpreh i lumtur që Forca e Sigurisë së Kosovës do të pajiset me automjete ushtarake, të cilat kanë qenë simbol i ushtrisë Amerikane.

“Kjo kontratë i dërgon shenjë të qartë botës se Kosova mëton ta çojë deri në fund integrimin Euro-Atlantik në të gjitha mënyrat. Kjo blerje do ta forcojë partneritetin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe do të ndihmojë në përmbushjen e ndërveprimit ndërmjet forcave ushtarake amerikane, NATO-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës. Gjithashtu, jemi të ngazëllyer që jemi pjesë e kësaj ere të re të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe presim me padurim ta shohim dërgesën e parë të Hamvi-ve gjatë këtij viti’’.

Ministria nuk ka dhënë shumë detaje për vlerën e parave që do të shpenzojë për automjetet Humvee, por shkurtimisht ka deklaruar se nga 51 automjete e blinduara, 24 do të blihen me paratë nga buxheti i FSK-së derisa 27 të tjera të përdorura do të jenë donacion nga Ushtria Amerikane.

Ministria e FSK-së kishte paraparë që vitin e kaluar të blejë 7 automjete të blinduara nga kompania “AM General” në SHBA, vlera e të cilave ishte 3.8 milionë euro.

Por, Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik kishte kundërshtuar një gjë të tillë pasi parashihej të bliheshin me procedura të negociuara dhe pa njoftim për kontratë.

Edhe atë kohë FSK-ja kishte thënë se është e vendosur për blerjen e mjeteve Humvee, pasi mendon se në këtë mënyrë hapet rruga që SHBA-ja t’i dhurojë automjete të njëjta forcës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme