Arbëri

Të gjitha vendimet që sot i mori Qeveria

Ka tre muaj që Dogana e Kosovës nuk zbaton vendimet e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për mbrojtjen e produkteve të qumështit, pemëve e perimeve, raporton KTV.

Këtë ankesë ministri i këtij dikasteri, Bajram Hasani, e ka paraqitur edhe në mbledhjen e Qeverisë, ku ka kërkuar nga ajo që dogana ta zbatojë çdo vendim që nxjerr Ministria e që është në kompetencë të saj.

Qeveria gjithashtu ka miratuar propozimin për vazhdimin e punës për studimin dhe ngritjen e minierës së re për KEK-un.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik ka thënë se grupi punues për këtë çështje ka rekomanduar që të vazhdohen hulumtime shtesë. Megjithëse kjo pikë është miratuar, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, në fillim të mbledhjes, pati vërejtje për materialin e dërguar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik.

Qeveria ka miratuar edhe kërkesën e Komunës së Prizrenit, Klinës e Malishevës për tërheqjen nga procesi i privatizimit dhe kthimin e pronës së ish-Ndërmarrjeve Shoqërore në pronësi të komunës.