Arbëri

Rikallo nuk përfill vendimin e Këshillit të Shërbimit Civil

Descriptive Text

Ministri i Bujqësisë nga Lista Serbe, Nenad Rikallo, nuk do ta zbatojë vendimin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, i cili ka urdhëruar kthimin në punë të Elhami Hajdarit në Agjencinë për Zhvillimin Rural, raporton KTV.

Hajdari u largua nga puna sepse refuzoi t’i jepte grant një kompanie që bashkëpunonte me gruan e ministrit Rikallo.

Ministri Rikallo ka akuzuar këtë institucion se ka tejkaluar kompetencat ligjore. Sipas kësaj shkrese, ministri pretendon se përgjegjës për shqyrtimin e ankesave për pozita të larta drejtuese nuk është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Shërbimit Civil.

Në vendim thuhet se Qeveria e Kosovës gjithashtu ka formuar një komision disiplinor muajin e kaluar, për të shqyrtuar rastin e Elhami Hajdarit dhe ende nuk ka dalë me vendim. Sipas vendimit të Këshillit Mbikëqyrës të Shërbimit Civil, të marrë më 12 korrik, të cilin e ka siguruar ‘Koha Ditore’, Ministria ka dështuar të dëshmojë ndër të tjera se ndaj Elhami Hajdarit është duke u zhvilluar procedurë penale, për çka ai zyrtarisht u pezullua nga puna.

Vendimi saktëson se Ministria e Bujqësisë ka 15 ditë afat që ta kthejë në pozitën e tij Hajdarin si kryeshef ekzekutiv të Agjencisë së Zhvillimit Rural.