Arbëri

I dënuar në Itali për vjedhje, shkarkohet gjyqtari i Gjykatës së Lartë

Sikundër edhe pritet, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në Shqipëri vendosi sot shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza.

Thanza ishte dënuar në Itali për vjedhje me dhunë por kjo nuk e ka penguar të jetë në piramidën më të lartë të sistemit të drejtësisë; Gjykatën e Lartë, Gjykatën Kushtetuese apo dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 1999, ku Thanza madje ishte dhe gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës, por ky informacion që do ti kushtonte karrierën as nuk është deklaruar nga vetë gjyqtari, madje nuk është konstatuar nga asnjë institucion shqiptar që kryente verifikimin për pastërtinë e figurës dhe dekriminalizimin, raporton “OraNews”.

Madje kjo gjë do të vazhdonte të qëndronte e fshehur në rast se ekspertët e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit nuk do ta kishin zbuluar dhe kjo e dhënë në kufijtë e një skandali nuk do të deklarohej në seancën dëgjimore të 10 korrikut për anëtarin e Gjykatës së Lartë.

Vetë gjyqtari nuk e mohoi faktin e ekzistencës së këtij dënimi për të cilin tha se ishte vepër që nuk e kishte konsumuar ai por një familjar i tij por që ai e kishte marrë përsipër për humanizëm.

Ai deklaroi para trupës së KPK se e ka pranuar dënimin për të shpëtuar jetën e nipit të tij.

Thanza deklaroi se e ka marrë përsipër një dënim të kunatës e cila kishte kryer një vjedhje vetëm që nipi i tij 9 vjeçar të kurohej në Itali, ndërsa ka shpërthyer në lot para trupës gjykuese.

Por kjo ishe vetëm njëra nga shkeljet që KPK ka konstatuar për anëtarin e Gjykatës së Lartë.

Relatori, Lulzim Hamitaj, tha se në lidhje me pasurinë, gjyqtari rezulton se ka bërë deklarim të rremë, ka fshehje të pasurisë dhe nuk ka burime të ligjshme që e justifikojnë pasurinë e tij.

Probleme janë konstatuar dhe me integritetin e gjyqtarit. DSIK ka konstatuar se Thanza ka fshehur procedimin penal të nisur nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion, i cili është pushuar në 2016 dhe ka kontakte të papërshtatshme me krimin e organizuar.

Ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme ka nisur hetimin kryesisht për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Admir Thanza. Gjyqtari do të hetohet për falsifikim të formularëve të vetëdeklarimit.