Arbëri

Sipas “Novostit”, disa vende ndërrojnë ambasadorët në Beograd për shkak të Kosovës

Descriptive Text

Beograd, 17 korrik – Disa nga fuqitë vendimtare botërore, sidomos kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, së shpejti do të dërgojnë në Beograd ambasadorë të rinj, shkruan sot “Veçernje Novosti”, transmeton Koha.net.

Nga Berlini, sipas kësaj gazete, është paralajmëruar dërgimi i diplomatit të ri, Tomas Shild, në vend të Aksel Ditmanit. Ai vjen nga misioni në selinë e OKB-së në New York. Po ashtu edhe ambasadori rus Çepurin do të zëvendësohet nga Bosan Harçenko, siç thotë gazeta, njohës i shkëlqyeshëm i rrethanave ballkanike dhe mik i dëshmuar i Serbisë.

“Harçenko në diplomacinë ruse merret si ekspert për zgjidhjen e problemeve, të cilin Putin e dërgon në vendet ku Perëndimi bën presione. Ka qenë përfaqësues i Rusisë në Grupin e Kontaktit me diplomatët e SHBA dhe të BE, përfaqësues në treshën ndërmjetësuese për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruan Novosati, transmeton Koha.net.

“Novosti” thekson se pritet që Berlini e Londra të dërgojnë për ambasadorë në Serbi diplomatë të karrierës me përvojë, duke pasur parasysh se në periudhën e ardhshme çështja e Kosovës dhe anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian do të jenë në krye të agjendës (në foto, ambasadori i ardhshëm rus në Beograd, Bocan Harçenko).