Arbëri

Haziri kthehet në kursin e LDK-së për dialogun, do zgjedhje paraprakisht

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është kthyer në kursin që mban kjo parti për çështjen e përfshirjes në dialogun me Serbinë.

Haziri, që më parë kishte shprehur mendimin parimisht presidenti Hashim Thaçi duhet të udhëheqë palën e Kosovës në bisedimet me Serbinë dhe se LDK-ja nuk do precedan të mosrespektimit të institucionit, tash ka thënë se partia ku ai është nënkryetar nuk do të jetë pjesë e delegacionit të Kosovës në Bruksel.

“Ne kemi pasur tri parime për ndërtimin e konsensusit në Kuvendin e Republikës. Kjo nuk është arritur. Tashmë kërkesa e LDK-së ka evoluuar në formulën ‘legjitimitet para dialogut’, e cila nënkupton zgjedhjet (e parakohshme parlamentare) para dialogut. Ne nuk jemi pjesë e këtij delegacioni dhe as e delegacioneve eventuale jashtë një marrëveshje dhe një konsensusi politik, i cili mund të arrihet vetëm në Kuvend të Republikës”, tha Haziri për Radion Evropa e Lirë.

Ai ka shtuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do t’i legjitimonin institucionet përfaqësuese të Kosovës.

“Ne besojmë që kjo krizë, e cila është prodhuar politikisht në Kosovë, e ka degraduar legjitimitetin politik të përfaqësuesve dhe detyrimisht legjitimiteti për përfaqësim në format të tillë të dialogut është i domosdoshëm. Natyrisht që ky Kuvend nuk e ka formatin dhe autoritetin që të bartë kurrfarë delegimi apo përgjegjësie më këtë angazhim. Kështu që, LDK-ja mbetet në rolin e saj opozitar brenda këtij Kuvendi, me kërkesa politike, të cilat do të vazhdojnë të afirmohen politikisht edhe me veprime konkrete opozitare brenda Kuvendit”, u shpreh Haziri.

Në “Rubikon” të KTV-së, më 5 korrik, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kishte thënë se ai është parimisht pro që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë palën e Kosovës në bisedimet me Serbinë.

“LDK-ja nuk lejon precedent që institucioneve të shtetit dhe bartësve të shtetit t’u bëjë përfaqësim në hije. Nëse është president, është president dhe i ka detyrat e tij kushtetuese. Ka zëra në Kosovë që thonë se procesi është i mirë, ne mund të shkojmë, por ky president nuk mund të shkojë. Çka nëse nesër e kemi një president tjetër, të LDK-së dhe ai e përfaqëson Kosovën në OKB e del opozita të thotë se nuk bën. Nuk bën të luhet me institucione. Nuk bën të lejojmë të bëhemi precedentë në zëvendësime e delegime. Vetëm nëse Kuvendi e ndërton dhe e lejon një strukturë dialoguese... Në parim s’jemi kundër. Kemi deputetë që kundërshtojnë, shumica e tyre ndoshta janë, por problemi është që kur të vendosë kryesia e LDK-së përfundimisht kemi për ta ruajtur unitetin tonë. Do të reagojmë bashkë e njëjtë”, kishte thënë ai në Rubikon të KTV-së.

Edhe në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Haziri kishte thënë se dialogu pa opozitën, do të dështojë.

Një ditë pasi Haziri kishte thënë kështu, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa mbajti takim me kryetarë të degëve të partisë. Sipas njoftimit për media nga kjo parti, të gjithë kryetarët e degëve mbështetën qëndrimin e Kryesisë së LDK-së, se institucionet nuk kanë legjitimitet dhe vendi është në krizë institucionale.

“Të gjitha degët e LDK-së e konfirmuan qëndrimin se procesi i dialogut nuk mund të udhëhiqet nga institucione jo legjitime dhe përtej kompetencave kushtetuese. LDK pra është e gatshme të udhëheqë këtë proces të rëndësishëm pas legjitimimit qytetarë në zgjedhjet e reja”, thuhet në komunikatën për media.

Në takimin me Mustafën, në shtëpinë e tij në Prapashticë, kishte munguar Haziri.

Po atë ditë, nënkryetari tjetër i kësaj partie Agim Veliu në televizionin 21 kishte deklaruar se presidenti Hashim Thaçi nuk ka asnjë autorizim për të negociuar në emër të qytetarëve të Kosovës dhe se çdo marrëveshje që arrihet në Bruksel me palën serbe mund të jetë vetëm marrëveshje e tij private, por jo në emër të Kosovës.