Arbëri

Kompania regjionale “Ekoregjioni” afër 3 milionë euro borxh ATK-së

Kompania regjionale e pastrimit “Ekoregjioni” në Prizren, ia ka afër 3 milionë euro borxh ATK-së. Për këtë, ata po kërkojnë falje të borxheve, si mënyrë e vetme që kjo kompani të mund të funksionojë.

Afër 3 milionë është borxhi që kompania e pastrimit “Ekoregjioni”, ka borxh ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Nehat Pasha, thotë që këto borxhe janë shkaktuar nga vetë qytetarët e 5 komunave që ata operojnë.

Ndërsa, 10 milionë euro është shifra që qytetarët kanë borxh ndaj “Ekoregjionit”.

Pasha kërkon një zgjidhje për këtë nga Qeveria, duke thënë që e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo gjendje është që kësaj kompanie t’i falet ky borxh.

Por, Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, Sakip Imeri, ka thënë që kompania ka lehtësira të shumta, por nëse nuk paguajnë borxhet, ata do të përdorin masa të tjera për t’i detyruar që ta bëjnë këtë.

Prizreni është aksionari më i madh në kompaninë e pastrimit “Ekoregjioni”, ndërkaq ajo operon edhe në Komunën e Suharekës, Dragashit, Rahovecit e në atë të Malishevës.