Arbëri

Hajrullahu akuzon Dugollin se udhëheq një grup që bën shkelje të mëdha në UP

Descriptive Text

Profesori universitar Arben Hajrullahu ka akuzuar në Interaktiv të KTV-së menaxhmentin e Fakultetit Filozofik dhe të Universiteti i Prishtinës.

Sipas Hajrullahut, i cili ka titullin Magjistër dhe Doktor Shkence nga Universiteti i Vjenës, ai po pengohet të rizgjidhet si profesor i rregullt sepse po zbatohen procedura të dyshimta dhe jo të njëtrajtshme. Ai ka treguar se si vite më parë studimet e tij ishin pranuar nga Universiteti i Prishtinës, ndërsa tani po i kontestohen nga njëri prej anëtarëve të komisionit recensues.

Hajrullahu akuzon dekanin Bujar Dugolli për “udhëheqje të një grupi të organizuar brenda UP-së”. Ai thotë se UP-ja ka rënë në një kurth të madh dhe funksionon me favore që lidhen edhe me buxhet publik.

“Punoj në UP staf i rregullt që nga viti 2006. UP në vitin e kaluar ka shpallur konkurs në pozitën që unë shërbej që një dekadë. Këshilli i Fakultetit Filozofik ka sjellë një vendim. Konsideroj se i emëruari i dekanit Bujar Dugolli, Agim Zogaj ka thënë se konkursi duhet të ripërsëritet. Pas rrëmujës që ndodhi në mbledhjen e Këshillit më 9 shkurt, kam kërkuar nga Dekanati që të rishqyrtohet. Kam reaguar në Rektorat në MASHT dhe te Avokati i Popullit. Zogaj ka qenë kundër zgjedhjes. Asnjëri nga aplikantët nuk i plotëson kriteret e kërkuara në konkurs. Kinse unë nuk kam bachelorin. Unë kam sqaruar edhe me shkrim të gjitha pikat. Më 2006 kam lidhur kontratë me UP-në vetëm përmes doktoratës. Kurse më 2017 nuk po u mjafton nostrifikimi i doktoratës, por edhe ajo e magjistraturës. Më 24 janar në po të njëjtën ditë Ministria ia nostrifikon dy kolegëve të mi që kanë konkurruar në këtë konkurs. Për këta kolegët e tjerë nuk përdoret normat e njëjta edhe për kolegët e mi, që shihet se është selektive. Në mars të 2005 kam mbrojtur temën e doktoratës. Kemi të bëjmë me një grup të organizuar që ka bërë shkelje serioze, dhe në krye të grupit është dekani Bujar Dugolli”, ka thënë ai.

Hajrullahu ka thënë se në UP ka studentë që përfundojnë tri vite studimesh për vetëm një javë. Ai thotë se aty ka edhe grupe që kanë kapur UP-në.

“Për tërë kohën që kam punuar në UP, në çdo rast që kam vërejtur e kam denoncuar. Brenda javës te ne studentët përfundojnë vitin e parë, dyte, tretë dhe mund të diplomojnë. Kjo nuk është shkelja e vetme, këtu ka një mendësi të instaluar që të largohen njerëzit që kritikojnë, dhe të kapet UP-ja, siç është kapur edhe shteti ashtu edhe disa grupe funksionojnë në UP dhe kanë mendësinë e njëjtë”, ka shtuar ai.

Profesori universitar Arben Hajrullahu ka thënë se në menaxhmentin e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës ka analfabetë funksionalë që vënë në pikëpyetje kredencialet e Universitetit të Vjenës.

Pasi Hajrullahut po i kontestohen studimet në Universitetin e Vjenës, edhe pse ka dhjetë vjet që ai punon në UP, vetë profesori thotë se në Fakultetin Filozofik po bëhen ndarje selektive.

“Për dhjetë vjet kam studiuar në Austri. A vërtetë universiteti i Austrisë do të më jepte magjistraturën sikur të mos kisha studimet bazë. Këto diploma janë verifikuar. Analfabetët funksionalë po e vënë në pikëpyetje kredencialet e Universitetit të Vjenës. Unë nuk e kam kryer shkollimin në qebaptoret e Ballkanit, por në Austri”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Hajrullahu ka paralajmëruar edhe padi ndaj Dugollit dhe ka thënë se do të kërkojë kompensim të lartë.

“Do të kërkoj kompensim goxha të lartë, dhe publikisht mund të them se ato do të shkojnë për bamirësi, pasi nuk dua të përfitoj materialisht. Kam indikator shumë të fortë se Dugolli ka bërë shpifje me qëllim të denigrimit të personalitetit tim. Këto vepra janë të dënueshme nga ligji në Kosovë. Nëse juristët mendojnë kështu si unë atëherë mendoj se do ta padisë Dugollin personalisht. Në tetorin e vitit të kaluar. Ai më kishte kërcënuar, duke më dhënë vërejtje. Nuk ka këtu diçka personale, ne jemi në institucion publik, dhe duhet të sillemi ashtu. Pa dasht të vë nën hije punën e mirë që bëhet nga disa individë në UP, që fatkeqësisht janë hesht nga disa grupe. Njerëzit janë të frikësuar që të flasin publikisht, shumë prej tyre preferojnë të heshtin që të mos kenë probleme”, ka shtuar ai.