Mallrat e konfiskuara dalin në ankand, kërkohet transparencë nga Dogana Foto: Ilustrim/Koha

Mallrat e konfiskuara dalin në ankand, kërkohet transparencë nga Dogana

14 korrik 2018 10:39

Pas konfiskimit, një sasi e madhe e mallrave të ndryshme dhe automjeteve në Doganën e Kosovës dalin në ankande për shitje, por sipas analistëve të ekonomisë, Komisioni vlerësuese i Doganës duhet të jetë transparent, sepse sipas tyre, ka dyshime për keqpërdorime.

Analisti i ekonomisë Jakup Bellaqa, thotë për Kosovapress se sa i përket mallrave që konfiskohen nga Dogana të cilat vlerësohen nga Komisioni për këto mallra, pasi t’i kalojnë procedurat ligjore dhe dalin në ankand publik, ku dhe i caktohet një çmim shitës, ky Komision duhet të jetë transparent, ferë dhe jo diskriminues sepse ka ankesa për keqpërdorime.

Ai tutje thotë se kjo praktikë duhet të ndërpritet sepse e krijon një imazh negativ, e ky imazh nuk i konvenon as Doganës dhe e rrezikon sovranitetin ekonomik dhe integritetin ekonomik të ekonomisë nacionale.

“Transparenca duhet me qenë 100 për qind për me krijuar bindje, sepse derisa nuk ka transparencë krijohet mosbesim, ndërsa derisa s’ka transparencë krijohet dyshimi, edhe pse dogana është një institucion shumë i rëndësishëm duhet me u fuqizuar sepse 65 për qind të buxhetit të Kosovës mblidhen nga Doganat. Deficiti buxhetor në Kosovë ende është 2.6 për qind, në momentin kur është 3 për qind sipas FMN-së kjo përqindje paraqet krizë buxhetore. Andaj, Dogana po ashtu ka rolin e vet për mbledhjen e tatimeve”, thotë Bellaqa.

Për hir të transparencës së plotë, ai ka kërkuar që shitjet në Doganë, të mos publikohen vetëm në ueb faqen e saj.

Edhe drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, thotë për KosovaPress se mungon një informim gjithëpërfshirës për ankande në Doganë, edhe në mjetet e komunikimit ose në media, që diçka e të tillë nuk është parë, por megjithatë sipas tij, në ueb faqen e tyre së paku informatat e tilla publikohen.

“Një komunikim më i mirë ndërmjet doganës dhe asociacioneve të biznesit, ndoshta do të ishte i nevojshëm sa për t’i tejkaluar problemet e mundshme në aspektin e informimit të bizneseve ose personave të tjerë fizik. Meqenëse pastaj informatat do të shpërndaheshin shumë me lehtë për mes asociacioneve të biznesit tek bizneset dhe besoj se kjo është diçka që Dogana mund ta bëjë shumë lehët përmes shpërndarjes së informatave te asociacionet e pastaj natyrisht edhe deri tek bizneset që janë anëtare e këtyre asociacioneve”, thekson Zeka.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci për KosovaPress pohon se Dogana përcakton fillimisht vlerën minimale të mallrave dhe pastaj presin ofertat nga kompanitë apo personat fizik për shitjen e tyre.

Ai thotë se kjo formë e komunikimit bëhet vetëm ueb sajtin zyrtarë të Doganës. Ai mohon të mos ketë transparencë për shitjen e mallrave të konfiskuara.

“Shitja kryesisht bëhet me ankande. Të gjitha shitjet në doganë bëhen, publikohen në vebfaqen tonë dhe varësisht si personat juridik, si personat fizik mund të marrin pjesë në këto ankande përmes kuotimit të tyre për një produkt të caktuar… Dogana e përcakton fillimisht vlerën minimale të mallrave dhe pastaj presim ofertat nga kompanitë apo personat fizik për shitjen e tyre. Në rast se janë sasitë shumë të mëdha, atëherë kalon vetëm për shitje tek personat juridik, realisht tek kompanitë, kurse në rastin e automjeteve, p.sh, ankandin e fundit të cilin e kemi të hapur deri më datën 25 kur është përmbyllja e tij, është për shitjen e automjeteve të konfiskuara si rezultat I kundërvajtjeve doganore, disa të tjera janë që kanë qenë pjesë e flotës së doganës dhe ato janë duke u zëvendësuar dhe janë duke u shitur. Pra, aty dogana ka përcaktuar vlerën minimale, ta marrim një shembull, një automjet i konfiskuar i vitit 2004 ose 2005 fillon me vlerë minimale prej 600 euro e tutje, varësisht prej ankandit”, ka thënë zëdhënësi Stavileci.

Stavileci tregon se në të gjitha rastet mallrat të cilat kapen pa taksa, fillimisht procedura e parë është konfiskimi.

Ai thotë se ka shumë automjete të cilat i konfiskojnë gjatë vitit dhe të gjitha këto pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ligjore, i jepet edhe palës e drejta ankimore me të cilën e vërteton pretendimin e tij ose ndjek rrugën ligjore deri në fund dhe kur të përfundojnë të gjitha rrugët ligjore, atëherë aplikohet edhe shitja apo falja ose asgjësimi i produkteve varësisht çfarë produkti është.

Vetëm në rastin e barnave, Stavileci thotë se ato i përcjellin në Agjencinë për Produkte Medicionale, sepse Dogana nuk ka kushte për trajtimin e tyre.

“Në rast se kemi automjete ose mallra të tekstilit, atëherë ato i nënshtrohen shitjes. Dogana nuk parasheh të grumbulloj mallra, dogana të vetmin qëllim e ka që përmes shitjes të siguroj taksat të cilat është dashur të paguhen për ato produkte”, theksoi zëdhënësi Stavileci.

Mirëpo, ai ka thënë se nuk kanë pasur asnjë ankesë deri tani në të gjitha ankandet që janë zhvilluar dhe që i kanë përfunduar.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme