Kërkohet unifikim në protestat e sindikalistëve Foto: Arkivë

Kërkohet unifikim në protestat e sindikalistëve

14 korrik 2018 10:29

Nënkryetari i Sindikatës së Re Korporata Energjetike e Kosovës, Nexhat Llumnica, ka bërë thirrje për protesta të përbashkëta.

Ai përmes një njoftimi, u është drejtuar punëtorëve të sektorit privat dhe publik, dhe gjithashtu të gjithë qytetarëve të Kosovës që janë të papunë. Thotë se pajtohet me pakënaqësitë që po bëhen në Kosovë, se sipas tij, “ka arsye të shumta për të protestuar”.

“Mos respektimi ligjit të punës, Marrëveshjes kolektive , njohja e përvojës së punës të vitit 1990-99 ,siguria në punë, sigurimi shëndetësor si dhe papunësia dhe varfëria e qytetarëve të Kosovës na bëjnë shumë me arsye për të Protestuar. Ngritja e zërit me Protesta do të thotë shprehje e pakënaqësisë në mënyrë demokratike dhe paqësore para përfundimit të durimit”, ka thënë ai, transmeton Koha.net.

Ai thotë se Sindikata e Re Korporata Energjetike e Kosovës, solidarizohet me punëtorët e Trepçës, KEDS-it, Zjarrfikësit, Administratës së Gjykatës etj. Por, siç ka thënë ai, habitet pse nuk protestojnë të gjithë një zëri.

“Nuk po mund ta kuptojë të gjitha këto degë sindikale janë pjesë e BSPK-së dhe po protestojnë pothuajse për të njëjtat kërkesa, shtrohet pyetja për çfarë arsye nuk protestohet bashkë si një trup sindikal të organizuar mirë? I bëjmë thirrje publike kryetarit të BSPK-së Avni Ajdini dhe kryesisë së BSPK-së që urgjentisht të analizojnë situatën aktuale të punëtorëve të Kosovës dhe të bashkohemi të gjithë si një trup ta ngrisim zërin të gjithë së bashku dhe vetëm kështu mund të realizohen kërkesat tona. PROTESTO që të respektojnë!”, ka përfunduar Llumnica.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme