Selimi: Jo që Haradinaj refuzon dialogun, por Serbia e do Thaçin

Selimi: Jo që Haradinaj refuzon dialogun, por Serbia e do Thaçin

12 korrik 2018 23:47

Rexhep Selimi, deputet i Vetëvendosjes, ka thënë se Serbia e sheh presidentin Hashim Thaçi si partnerin më të mirë nga Kosova dhe me të ka krijuar partnerit të cilin nuk dëshiron që ta prishë, duke përfshirë figura tjera nga Kosova në dialog.

Sipas Selimit, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është që ka refuzuar dialogun “për t’u marrë me punë të brendshme”, por këtë punë nuk ia lëshon presidenti Thaçi dhe Serbia.

“Më duket që është problemi te partneri i tij, te Thaçi. Ai që nuk lejon të lëshojë bisedimet. Nuk është problemi që nuk do, por që Thaçi s’e lëshon atë pozicion. Për ironi kemi thënë që kur ka qenë ai kryeministër ka qenë dialog kryeministrash. Tash që është president, është dialog presidentësh. Po të ishte kryetar komune do të ishte dialog mes kryetarëve të komunave. Ai nuk e lëshon nga duart dialogun. Tash po e proklamon edhe epilogun. Kështu e do edhe Serbia sepse po t’ia hiqnim Thaçin ajo do të reagonte sepse e ka krijuar një partneritet të të gjitha rrugëve me Thaçin dhe kushdo tjetër do të prishte atë partneritet”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Selimi ka thënë se dialogu dhe forma e tij është problemi kryesor që e shqetëson Vetëvendosjen dhe jo se kush e udhëheqë atë. Sipas tij, forma aktuale mund të sjellë epilog edhe ndarjen e Kosovës.

“S’është arsyeja kryesore kush e udhëheq. Për ne janë problem negociatat me Serbinë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës. E kemi përsëritur se negociatat i kanë shkaktuar dëme të mëdha Kosovës. Ka arritur që Serbia ta ketë në tavolinë pavarësinë e Kosovës. Krejt gabimisht dhe në mënyrë jo të duhur e kemi vënë në tavolinë atë që e kemi shpallur më 2008, pavarësinë. Epilog mund të jetë ndarja e pavarësisë me Serbinë. Pse këto bisedime ndodhën pas shpalljes së pavarësisë. Njohja jonë a është e varur nga Serbia? Nuk duhej të ishte”, ka shtuar më tej Selimi.

Sipas Selimit, dialoguesit deri tash gjithmonë e kanë mashtruar Kuvendin, “së pari duke ia grabitur ratifikimin dhe së dyti duke e përdorur vetëm për fjalime”.

Selimi ka thënë se Thaçi me deklaratat se mund të ketë vendime të vështira në fund të dialogut, po e bën gati opinionin për një ndarje të Kosovës.

“Referuar deklaratës, ka nisur përgatitja e opinionit se mund të ketë vendime të vështira. Një farë ndarje e Kosovës si përgjysmë me Serbinë. Vendimi i vështirë ka qenë më 1999. Kompromiset tani do t’i bëjë Kosova dhe do të krahasohet viti 2018 si vendim i rëndë në krahasim me 99-n. Referuar bisedimeve, po del që po mbahen bisedimet Thaçi-Beograd”, ka thënë Selimi.

Deputeti i VV-së ka kritikuar edhe LDK-në duke thënë se nuk ka shprehur akoma qëndrim të qartë për dialogun.

Sa i përket raportimeve për amnisti të krimeve të luftës, Selimi ka thënë se kjo mund të pritet nga një “logjikë e Thaçit”.

“Është e mundshme dhe logjike po të mendonim me logjikën e Thaçit. Po të kishte rrethana tjera, nuk duhet të ketë amnisti për krime lufte. Bëhet fjalë për krime lufte që e kanë tronditur botën. Ndoshta ai ia ka falë Serbisë, por ne s’ia falim as Thaçit e as Serbisë, sepse krimet e luftës e plagët akoma kullojnë. Është gjak që nuk falet. Askujt s’guxon t’i falet. Thaçi s’guxon t’i falë asgjë Serbisë, përderisa s’ia falin ato nëna pa fëmijë, baballarët që mbetën pa prindër, e gratë e dhunuara. Është totalisht gabim e s’po arrij të besoj që ka shkuar deri atje, por ai mundet të shkojë. Ai di të bëjë gjëra të tilla, por nuk duhet t’ia lëmë të veprojë për interesa personale e as për Serbinë. Kosova është gjak që s’falet”, ka shtuar më tej Selimi.

Ai ka paralajmëruar edhe protesta të partisë së tij për të kundërshtuar dialogun.


Selimi: PSD-ja determinuese për zgjedhjet në Kosovë

Rexhep Selimi nga Vetëvendosje, ka thënë se partia nga vjen ai është e gatshme për të shkuar në zgjedhje dhe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

Ka thënë, se në fakt Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk do që të shkohet në zgjedhje sepse nuk po bën veprime konkrete.

LDK-ja me 27 vota, po kërkon nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Socialdemokrate, vota për ta rrëzuar qeverinë. Por, Selimi nuk beson që as PSD-ja do ndikojë.

“LDK-ja së paku ka provuar se si rrëzohet një qeveri, ata e dinë si rrëzohet një qeveri. Rrëzimi i qeverisë bëhet me veprime konkrete jo me deklarata. VV është e gatshme të shkoj në zgjedhje sepse e sheh mënyrën e vetme, ndryshe ky vend do të shkojë poshtë”, tha ai në Interaktiv të KTV-së.

Lëvizja Vetëvendosje, tha ai, nuk është ndarë përgjysmë. “VV është në parlamentin e Kosovës, ndonëse kanë ikur 13 deputetë, por megjithatë VV qëndron. Kemi 19 deputetë dhe jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje sepse ne përfaqësojmë qytetarët”, tha tutje.

Sipas tij, PSD-ja nuk janë të gatshëm për zgjedhje, sepse siç tha ai, kanë impakt me partitë në pushtet.

“Kjo shihet në mënyrën se s’i votojnë, mënyrën kur votojnë”, tha tutje Selimi. “PSD është determinuese se a do të ketë në Kosovë zgjedhje apo jo, e kjo për shkak të pozitës që janë mes opozitës dhe mazhorancës”, përfundoi ai.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme