Arbëri

Shala: Me parimet e Kurtit dhe të Vetëvendosjes procesi i dialogut s’mund të ecën para

21:43 - Blerim Shala, këshilltar i presidentit Hashim Thaçit, në Rubikon të KTV-së, ka thënë se ekipi negociator më Serbinë duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Përveç spektrit politik, ai tha se duhet të ketë edhe shoqëri civile dhe ekspertë vendorë.

“Ne synojmë dhe presim që brenda javës duhet të ketë ekip”, nënvizoi ai.

Gatishmëria e Albin Kurtit për të udhëhequr një proces të tillë nuk mbështetet nga Shala.

Këshilltari i Thaçit tha se me parimet të cilat ka Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj nuk mund të ecë përpara procesi.

“Ne e dimë që Vetëvendosja dhe Albin Kurti i ka parimet e veta. Mund t’i respektoj parimet e tij po me ato parime nuk mund të ecë ky proces”, ka thënë ai.

Ai përmendi çështjen e të pagjeturve, e cila, sipas Shalës, duhet të përfundohet.

“Është një fazë keqkuptimesh”, tha ai duke ju referuar një kompromisi të mundshëm për amnisti të krimeve të luftës.


Shala thotë se Thaçi u keqkuptua me deklaratën se me Serbinë s’ka vija të kuqe

Deklarata e presidentit Hashim Thaçi se në bisedime nuk ka vija të kuqe për Kosovën është keqkuptuar.

Kështu së paku pretendon këshilltari i tij, Blerim Shala.

“Synimi i tij ka qenë që të tregojë që vijat e kuqe kanë të bëjnë me palën serbe, sepse vija të kuqe për palën serbe janë mosnjohja e Kosovës. Motivi i tij kryesor ka qenë që pala serbe nuk duhet të ketë vija të kuqe. Patjetër që ne kemi”, ka thënë Shala në Rubikon të KTV-së.

“Duhet të bëhemi të gjithë së bashku dhe ta marrim përgjegjësinë së bashku, ta heqim qafe çështjen me Serbinë. Nuk e di nëse do të jenë gati pala serbe për marrëveshje por po shohim deklarata të përditshme të cilat tregojnë se Vuçiqi po fillon të përgatisë një terren të mundshëm”, ka thënë ai.


Shala thotë se “Ekipi i Unitetit” do të krijohet në javët e ardhshme

Ekipi i Unitetit mbetet modeli më i mirë për përfaqësim të Kosovës në bisedimet me Serbinë, në fazën e fundit të dialogut.

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Blerim Shala në një intervistë për Rubikon të KTV-së, ka thënë se presidenti është i gatshëm që legjitimitetin e tij ta marrë nga Kuvendi i Kosovës.

“Delegacioni i Kosovës i cili do të udhëhiqet nga presidenti Hashim Thaçi do të ishte shumë mirë nëse mandatohet në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Shala.

“Synimi absolut i presidentit është që të bëhet Ekipi i Unitetit në javët e ardhshme sepse do të kemi bisedime shumë të rënda”, shtoi tutje ai.

Mos gatishmërinë e politikës kosovare për mungesë konsensusi, sipas Shalës, mund ta shfrytëzojë pala serbe, në këtë rast, presidenti Aleksandër Vuciq.

Ndonëse javë më parë, partia në koalicionin qeveritar, Nisma Socialdemokrate, kishte thënë se është kundër përfaqësimit të Kosovës në bisedime me Thaçin kryenegociator, Shala tha së beson shumë se ky qëndrim ka ndryshuar dhe një gjë të tillë do ta shohim ditët në vijim.

Sot janë takuar krerët e shtetit, Thaçi,Veseli e Haradinaj, por Nisma e Fatmir Limajt, ka thënë të mos jetë e informuar për këtë takim.