AAK: Faza finale e dialogut mos të fillojë pa u bërë liberalizimi

AAK: Faza finale e dialogut mos të fillojë pa u bërë liberalizimi

12 korrik 2018 17:56

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, bashkë me gjashtë deputetë tjerë të kësaj partie kanë iniciuar mocionin për nxjerrjen e një projektrezolute me të cilën do t’i kërkohej Qeverisë që të mos e filloj fazën finale të dialogut me Serbinë pa u bërë liberalizimi i plotë i vizave për qytetarët e Kosovës.

Deputetja Kadaj-Bujupi, tha për KosovaPress se liberalizimi i vizave po u shkakton pengesa praktike qytetarëve duke mos pasur qasje në zonën Schengen për t’i realizuar qëllimet e tyre, të rinjtë për të studiuar, afaristët për të zhvilluar biznesin e tyre e tjera.

Ajo konsideron se ky është vullnet i vonuar politik i BE-së, prandaj duhet të mos vazhdojë dialogu deri në liberalizimin e vizave, ani pse këto dyja janë procese të ndara. Megjithatë, Kadaj-Bujupi thekson se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet dhe kriteret.

“Bashkë me deputetët tjerë të AAK-së ne dorëzuam projektrezolutën e cila kërkon nga Qeveria, ka vetëm një pikë, kërkon nga Qeveria që të mos fillojë dialogu, faza finale, deri në liberalizimin e plotë të vizave. Ne konsiderojmë që Kosova ka zbatuar të gjitha kushtet, kriteret, rekomandimet edhe ato teknike por edhe ato politike me shumë se cilido vend tjetër në rajon dhe mos liberalizimi i vizave vazhdon të jetë një padrejtësi shumë e madhe për qytetarët e vendit tonë”, tha Kadaj-Bujupi.

Sipas saj është koha që Kosova të ketë një njohje për veprimet e saj konstruktive dhe të drejtën e qytetarëve për lëvizje të lirë.

Ajo thekson se është e palogjikshme që të ketë liri të lëvizjes për mallrat, kur nuk ka liri të lëvizjes për qytetarët të cilët duhet t’i realizojnë ato të drejta.

Kadaj-Bujupi beson në përkrahjen edhe të partive tjera në pozitë dhe opozitë në këtë nismë të saj.

“Ne do t’i ftojmë dhe do t’i thërrasin të gjithë deputetët edhe të grupeve tjera parlamentare që të na përkrahin, sepse çështja e liberalizimit të vizave është përtej subjekteve politike, është në të mirë të qytetarëve të Kosovës është e drejt universale e cila i është mohuar republikës sonë tani e sa vite padrejtësisht”, u shpreh ajo.

Ajo beson se shumë shpejt do të vihet në rend dite në Kuvend dhe ta obligojnë edhe Qeverinë ta respektojë këtë projektrezolutë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme