“Vizat, nëse shtyhen për vjeshtë, do të jetë më vështirë”

“Vizat, nëse shtyhen për vjeshtë, do të jetë më vështirë”

12 korrik 2018 14:02

Kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur optimist për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës si vendi i fundit në rajon që nuk gëzojnë këtë të drejtë, por nuk ka mundur të japë ndonjë datë të saktë duke thënë se kjo mund të jetë më së voni në tetor, apo në fund të këtij viti.

Ai këto komente i bëri në një konferencë për media pas kthimit nga Samiti i Londrës në të cilin pati disa takime të rëndësishme me zyrtarë të shteteve evropiane, me të cilët diskutoi për tema të sigurisë, ekonomike dhe politike.

“Po, po, po. Shikoni, lufta bëhet për javë dhe javët janë në pyetje. Pse? Nëse do të kishim mundur tash ta kalojmë nga komisioni rekomandimin për Parlament do të kishim mundur ta zëmë në seancat e Parlamentit para pushimit të verës, edhe ky është shqetësimi im më i madh... Nëse na shtyhet për vjeshtë, pak më vështirë është pastaj, sepse po hyn edhe klima zgjedhore në BE dhe krejt shpresa është për të mos humbur në javë”, tha Haradinaj, trasnsmeton kp.

Duke folur rreth formimit të ekipit negociator për fazën e fundit të dialogut me Serbinë, Haradinaj tha se pjesë e këtij ekipi duhet të jenë edhe partitë opozitare.

“Përfaqësimi i Kosovës duhet të ndodhë përmes institucioneve, është i habitshëm rasti i Samitit në Londër. Tani ne nuk mundemi me dalë prej atij samiti në një formulë tjetër, jo institucionale është bukur e vështirë, nuk na pranojnë as miqtë as nuk na kuptojnë. Për këtë me kohë iu kam thirrje partive politike opozitare që të përkrahin Kosovën, familjet e tyre, fëmijët e tyre dhe që Kosova ta kryejë temën e rëndësishme të dialogut. Mendoj se është një klimë më e mirë tash prej konsultave që kemi mundur të bëjmë. Kosova përfaqësohet nga institucionet e vendit, të cilave iu prin presidenti, njëkohësisht edhe partitë parlamentare janë të nevojshme, edhe LDK, PSD edhe Vetëvendosje janë të nevojshme”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe rreth takimit të sotëm me presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli, të cilët i ka informuar për samitin në Londër dhe takimet bilaterale, duke thënë se e gjitha kjo është pjesë e koordinimit të institucioneve të Kosovës.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme