Arbëri

Pajaziti thotë se opozita po kalkulon për vota me qëndrimin për dialogun

Zenun Pajaziti, deputet i PDK-së, ka thënë se partitë opozitare po kalkulojnë për vota me qëndrimin e tyre për dialogun me Serbinë.

Sipas tij, qëndrimi kundër që presidenti Hashim Thaçi të udhëheqë dialogun dhe mosarritja e një konsensusi politik të brendshëm në Kosovë, po bëhen vetëm që të fitohen vota dhe se nuk po shikohet interesi i vendit.

“Kur presidenti Ibrahim Rugova ishte në krye të këtyre proceseve, PDK-ja si opozitë kishte pranuar të jetë pjesë e këtyre proceseve. Nuk duhet të ketë kalkulime sikur tash të partive politike pasi edhe do t’i dobësojnë ato edhe interesat e vendit tonë”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke shtuar se partia e tij është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën për të arritur konsensus për dialogun.

Ai ka thënë se një gjë pozitive në këtë fazë është se asnjëra parti nuk po e kundërshton dialogun me Serbinë. Takimet mes partive i ka quajtur pozitive, por ka thënë se është keq që nuk rezultuan me diçka konkrete.

Pajaziti ka thënë se presidenti Thaçi e ka për detyrë që bashkë me institucionet tjera t’iu ofrojnë kushte të mira opozitës për t’u bashkuar në procesin e dialogut.

“Mendoj që pavarësisht nëse dikush ka diçka personale, momentale, me interesa të veta partiake, duhet të lërë gjithçka anash. Presidenti përfaqëson institucionin më të lartë. Partitë opozitare duhet të mos bëjnë diçka që mund të duket si joshëse për elektoratin e tyre, por është jashtëzakonisht e dëmshme për interesat e vendit. Jemi në një kohë kur të gjithë partnerët ndërkombëtarë kanë thënë se hapat tjerë duhet të merren nga ne. ‘Duhet të merrni përgjegjësi ju’. Na kanë thënë haptas se nuk duan konflikte apo çështje të pazgjidhura. Na kanë dhënë gatishmërinë që të jenë ndërmjetës në këtë proces. Nuk jemi aq komod që ta humbim ne e as Serbia. Gjithçka që bëhet për vota, për zgjedhje, e dëmton seriozisht procesin dhe vendin”, ka shtuar ai.

Pajaziti po ashtu ka thënë se dialogu me Serbinë duhet t’i mbyllë përfundimisht të gjitha problemet, dilemat, plagët dhe rreziqet e së ardhmes. Në lidhje me raportimet se dialogu do të përfundojë me amnistimin e krimeve të luftës, Pajaziti ka thënë se duhet që të arrihet në marrëveshje që të mos u lihen probleme gjeneratave të ardhshme.

Paraziti ka kritikuar edhe vendimin e qeverisë për rritje pagash, duke thënë se tash shumë punëtorë do të kërkojnë rritje pagash për vete.

I pyetur lidhur me aktakuzën e ngritur ndaj tij në rastin “Pronto”, Pajaziti ka thënë se nuk ka qenë kurrë i përfshirë në një veprim joligjor.

“Nganjëherë edhe politika edhe drejtësia di të jetë pjesë e kalkulimeve, manipulimeve. Prandaj mund të jemi viktima të këtyre proceseve. Drejtësia do të flasë”, ka thënë ai. “Si deputet s’kam pasur asnjë përgjegjësi për rekrutim apo për ta hequr dikë nga puna. Aty flitet për rekrutimin e një bordi që s’ka ndodhur kurrë. S’është ekzekutuar kurrë. Është çështje drejtësisë”.

Më tej Pajaziti ka thënë se nëse do të dënohej do të kishte vështirë që të vazhdonte aktivitetin politik.