Shqiptarja me karrierë të suksesshme politike në Finlandë

Shqiptarja me karrierë të suksesshme politike në Finlandë

11 korrik 2018 21:55

Kur ishte vetëm shtatëvjeçare Fatbardhe Hetemaj së bashku me familjen e saj kanë braktisur Kosovës, përkatësisht vendlindjen e tyre Skenderajn për të migruar në Finlandë. Ajo arriti të integrohet në jetën e atjeshme, madje të jetë edhe kandidate potenciale për të qenë deputete.

Fatbardha e cila jeton dhe vepron në shtetin skandinav ka ardhur në Kosovë për pushime, me ç’rast në Ambasadën e Finlandës në Prishtinë ka zhvilluar një bashkëbisedim me të rinjtë kosovarë ku ka treguar për historinë e saj.

Megjithëse për fare pak vota, nuk kishte arritur të bëhej deputete e Parlamentit të Finlandës, ajo kishte arritur të jetë për katër vite asambleiste e qytetit të Helsinkit. Ajo ka treguar se si shumë parti politike ishin interesuar për ta pasur atë në partinë e tyre, por që ajo me shumë kujdes kishte bërë zgjedhjen e saj.

“Isha në tri zgjedhje të ndryshme, isha pjesë e bordit të komunës për një vit e gjysmë. Por, gjithashtu, mendova se të qenurit politikane të konsumon shumë, ndonjëherë nuk duhet të jesh vetja dhe kjo ishte sfida më e madhe për mua, sepse edhe duhet të bëhen shumë kompromise dhe gjithashtu duhet të mendohet për votat dhe se si kjo do të ndikojë tek ju, se si do të duket, dhe nuk ka të bëjë me atë se si gjërat duhet të jenë, por se si duken dhe se si ato shfaqen dhe duhet të përpjekur të fitosh vota. Në thelb kam konkluduar që unë nuk jam një politikane e mirë, unë jam shumë më e mirë si një udhëheqëse ose punonjëse, ose unë mund të ndihmoj njerëzit për të maksimizuar potencialin e tyre. Pra, kjo ishte një nga arsyet pse unë gjithashtu mendova se duhet të ishte më mirë për mua të jap dorëheqje dhe të mos shkoj në zgjedhje të tjera, të përqendrohem në këto pasione që kisha në jetën time”, tha ajo.

Edhe tash thotë se është shumë e lidhur me ndjekjen e politikës, pasi që lexon shumë për të, sepse sipas saj politika është mënyra më e mirë për të prekur çdo problem shoqëror ose për të përmirësuar demokracinë.

Ajo ka përfunduar master për menaxhment dhe strategji në kuadër të programit Hanken, si dhe është trajnere e certifikuar në IFC, dhe është e përkushtuar në asistimin dhe trajnimin e individëve dhe organizatave në arritjen e tërësishme të potencialit të tyre, ndërsa ka studiuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe Suedi.

"Një nga problemet më të mëdha për të mësuar diçka, është nëse jeni shumë perfeksionist dhe nëse keni shumë frikë nga rezultati përfundimtar. Kjo pengon mësimin tuaj, kështu që unë vetëm tani, pas shumë leximeve e kam kuptuar se nëse unë vërtetë dua të mësoj diçka, nuk duhet të mendoj nëse do ta mësoj atë apo jo, por të filloj të kuptoj që unë e di atë që po studioj dhe lexoj dhe vetëm të shtoj njohuritë e mia", tregoi ajo.

Fatbardha që është e bija e dy juristëve, thotë se prindërit e saj e kanë inkurajuar që të merret edhe me sport dhe hobe të tjera, por që i kanë thënë se gjëja më e rëndësishme është edukimi.

Për të gjithë ata që kishin ardhur të dëgjojnë rrëfimin e saj, ajo tregoi se arsyeja se pse kishte vendosur të studiojë menaxhimin e biznesit, është se ka shumë gjëra që mund të bëjë me këtë arsimim.

Shtetasja finlandeze me origjinë kosovare, ka treguar përvojën e saj të studimeve në Angli, ku thotë se me të vërtet e ka zgjeruar horizontin e saj.

"Përvoja e tre viteve studime në Angli me të vërtetë zgjeroi horizontet e mia, u bëra më e pavarur, e kuptova që ajo që kam zgjedhur për të studiuar më të vërtetë përshtatet me personalitetin tim dhe pasionin tim, njerëzit janë pasioni më i madh që mund të gjej, duke folur me njerëzit, duke i motivuar, duke mësuar prej tyre është me të vërtetë energjike. Megjithëse duhet të them se ka ditë kur unë nuk jam një person i njerëzve, sepse është konsumuese edhe për t'u marrë me konflikte të ndryshme, për të përshtatur mentalitetin tuaj me të tyre, për të kuptuar se dilema e tyre nuk tingëllon aq e keqe sa dilema e mëparshme me të cilën jeni marrë. Por, ju duhet të merreni me çdo situatë në atë mënyrë që ta respektoni atë person, dhe ata mund të ndiejnë nëse jeni atje vetëm fizikisht ndërsa mendërisht diku tjetër, prandaj të qenit i pranishëm është më të vërtetë aftësi që duhet poseduar”, tha ajo.

Ndonëse ka arritur shumë në karrierën e saj, ajo asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e saj, madje e ka përkujtuar edhe kohën kur kishte shkuar në Finlandë.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme