Arbëri

Thaçi thotë se opozita s’mund t’i vë veto udhëheqjes së tij të dialogut

Descriptive Text

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se opozita nuk mund t’i vërë veto udhëheqjes së tij të dialogut përfundimtar me Serbinë, por është i vetëdijshëm se as i vetëm nuk mund ta udhëheqë atë, raporton KTV.

Nga fushata e korrje-shirjeve në Ferizaj, Thaçi ka bërë thirrje për unitet politik dhe ka theksuar se liberalizimi do të ndodhë gjatë këtij viti.

“Një gjë është e qartë se askush nuk do të mund të udhëheqë vetëm procesin negociator, por është edhe më se e qartë dhe vendimtare të kuptohet se edhe askush nuk do të mund të vë veto apo të bllokojë këtë proces për të ecur përpara”, është shprehur Thaçi.

I shqetësuar presidenti Hashim Thaçi ka thënë se Kosova po rrezikon të humbasë momentin vendimtar të arritjes së marrëveshjes me Serbinë.

Ai ka theksuar se, “kjo po rrezikohet nga politikat populliste që kanë qëllime elektorale”.

Ani pse i padëshiruar nga opozita për ta udhëhequr dialogun me Serbinë, presidenti i Kosovës ka thënë se askush nuk mund ta udhëheqë dialogun i vetëm, e as të vërë veto apo ta bllokojë procesin për të ecur përpara.

Ndërsa ka bërë thirrje për një bashkim politik, ai ka theksuar se, “të gjithë liderët politikë duhet të marrin përgjegjësi në këtë proces të rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë t’i ndajnë meritat”.