Arbëri

Rama: Kërkesat e opozitës janë absurde

Descriptive Text

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë të enjten në Kuvend se ata që kanë frikë nga drejtësia nuk e kanë problem ta çojnë vendin në destabilizim dhe se kërkesat e opozitës të bëra nga çadra e protestës janë absurde.

“Bojkoti nisi në javën kur po shqyrtoheshin procedurat e vettingut. Kjo është një përpjekje për të ndaluar që PS të hyjë në zgjedhje. PS është garancia për të mos ndalur reformën në drejtësi. Frika nga drejtësia motivon këtë përpjekje”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se, “një epokë e re e drejtësisë është një epokë e re për politikën. Dhe një epokë e re për politikën është një epokë e re për qeverisjen”.

“Nuk është opozita zyrtare ajo që prodhon lirinë por liria ajo që prodhoj opozitën. Një parti mund të jetë mund të mos jetë, disa parti mund të jenë dhe mund të mos jenë”, tha Rama.

Ai ka përsëritur gatishmërinë për të diskutuar me liderin e opozitës për zgjidhjen e situatës politike aktuale.

“Jam i gatshëm për të biseduar dhe unë vetë do të preferoja në çadër. Kam dy ditë që pres vendin dhe orën për të folur”, ka pohuar Rama.